Ballina Bota ANALIZA: Liria e Internetit është në rrezik

ANALIZA: Liria e Internetit është në rrezik

Nga Thomas Margoni

Reforma e të drejtës së autorit e propozuar nga Bashkimi Evropian është në një pikë vendimtare, pasi është duke u votuar nga Parlamenti Evropian.

Qëllimi i Direktivës mbi të drejtat e autorit në tregun  përbashkët dixhital, përditësimi i parë i madh i legjislacionit në këtë fushë, që prej gati njëzet vjetëve, është që të modernizojë dhe përshtasë të drejtën e autorit në epokën dixhitale. Por në tekst janë përfshirë disa dispozita shumë problematike, që janë miratuar kohët e fundit nga komisioni parlamentar për çështjet ligjore. Që do të thotë se propozimi i tanishëm, me të gjitha problemet e veta, ka shanse për t’u bërë ligj shumë shpejt, në varësi se si do të votojë përfundimisht Parlamenti Evropian më 5 korrik.

Paketa aktuale e reformës mbi të drejtën e autorit është shumëplanëshe, dhe disa janë ide padyshim të mira. Por direktiva të drejtave të autorit, në veçanti, ka gjeneruar shumë shqetësim – dhe protesta publike – për shkak të disa dispozitave të cilat do të ndikojnë dukshëm në jetën online të miliona qytetarëve, dhe jo domosdoshmërisht në një mënyrë të mirë. Dy nga këto dispozita kanë të bëjnë me të drejtat e botuesve dhe filtrin e detyrueshëm parandalues ​​për përmbajtjen e ngarkuar në internet.

E drejta e botuesve

Për të shpërblyer prodhuesit e përmbajtjes për fitimet e nxjerra nga platformat e rrjeteve sociale që ndajnë linket dhe titujt e artikujve të lajmeve, është propozuar e ashtuquajtura “link tax”, e cila do të sillte platforma (si Facebook apo Tëitter, por edhe shumë të tjera) pagesën e një leje për të përdorur artikuj dhe informacione (edhe pse një amendament i kohëve të fundit duket se përjashton zbatueshmërinë për link-e autonome).

Sipas ligjit aktual, artikujt tashmë janë subjekt i mbrojtjes së të drejtës së autorit siç janë veprat letrare. Nëse dëshironi të ribotoni një artikull nga një gazetë apo revistë, keni nevojë për lejen e tyre. Kjo mbrojtje shtrihet edhe në titullin e artikullit, nëse është mjaftueshëm origjinal.

Megjithatë, faktet dhe të dhënat që kanë të bëjnë me lajmet nuk janë mbrojtur kurrë nga e drejta e autorit. Nëse një buletin boton një artikull, titulli i të cilit është një përshkrim i thjeshtë i një ngjarjeje të tanishme – “Anglia kualifikohet për fazën eliminatore të Kupës Botërore 2018” – kjo nuk është origjinale mjaftueshëm, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të autorit. Ky është një përshkrim i një ngjarjeje të tanishme, një fakt. Nuk ka kreativitet në të, në krahasim me titujt e veçantë ose origjinalë që zakonisht gjenden në disa gazeta. Nëse artikujt e tillë do të mbroheshin, do të thoshte që asnjë faqe ose blog tjetër i lajmeve nuk do të mund të raportonte të njëjtën ngjarje, pa lejen e botuesit fillestar.

Prandaj është e qartë se pse çdo përpjekje për të taksuar raportet faktike të lajmeve është e pakuptimtë. Nga pikëpamja ekonomike, e drejta e autorit lejon monopolin e një pune të veçantë krijuese. Duke lejuar që të drejtat e monopolit të shtrihen në ide, fakte ose të dhëna mbi lajmet aktuale, direktiva përbën një kufi të pajustifikueshëm të së drejtës tonë themelore për lirinë e informimit: lirinë për të krijuar dhe dhënë informacione dhe lirinë për t’i marrë ato. Gjithashtu do të preken shumë të drejta të tjera, të tilla si liria e biznesit ose pronësia intelektuale e atyre që dëshirojnë të ripërdorin informacionin faktik, për të krijuar diçka origjinale.

Ka prova të qarta dhe konsensus unanim mbi faktin që, kufizimi i fluksit të lirë të informacioneve në këtë mënyrë, do të ishte shkatërrimtar.

Filtri parandalues i detyrueshëm

Përcaktimi i kësaj dispozite si një “makinë censurimi” mund të duket një ekzagjerim, por është e padiskutueshme që propozimi synon ta bëjë të detyrueshëm për ofruesit e hostim-eve të faqeve të internetit, që të përdorin softuer filtrues i cili do të verifikojë se përmbajtja e ngarkuar apo e hostuar është të ligjshme: për shembull, që nuk shfaqen në asnjë listë të materialit të mbrojtur nga të drejtat e autorit, të siguruar nga mbajtësit e të drejtave.

Paradoksalisht, kjo mund të nënkuptojë, ndër të tjera, që nëse një qytetar i Bashkimit Evropian dëshiron të shprehë veten në internet, ai duhet t’i kërkojë leje një softueri të filtrimi të përmbajtjes, të zhvilluar nga një kompani me seli në Shtetet e Bashkuara.

Ligji aktual: njoftimi dhe heqja

Sipas legjislacionit aktual, platformat – organizatat që formojnë infrastrukturën në internet përmes të cilave përdoruesit bashkëveprojnë, si YouTube, Facebook, Tëitter, Amazon, eBay ose Instagram – nuk janë përgjegjëse kur përdoruesit e tyre shkelin të drejtën e autorit, me kusht që ata nuk janë të vetëdijshëm për shkeljen dhe që sapo të informohen, veprojnë shpejt për ta larguar atë. Ky proces njihet globalisht si njoftim dhe heqje, edhe pse ka dallime në mes të juridiksioneve të ndryshme.

Ky kufizim i përgjegjësisë për platformat zgjat vetëm derisa ato të jenë në dijeni të shkeljes materiale. Megjithatë, individi përgjegjës për ngarkimin e një kënge, videoje ose produkti copyright, mund të paditet sërish nga autorët ose më shpesh nga mbajtësit e të drejtave që kanë fituar të drejtën e autorit nga autorët, për shembull shoqëritë e komunikimit, botuesit dhe kompanitë e muzikës. Ky mekanizëm nuk është i përsosur dhe ka tërhequr tashmë kritika, se është shumë i njëanshëm, në favor të mbajtësve të të drejtës së autorit dhe platformave dhe duke harruar, si zakonisht, të drejtat e përdoruesve. Por të paktën ka garantuar deri tani një ekuilibër të caktuar midis mbrojtjes së investimeve në prodhimin e përmbajtjes krijuese, dhe promovimit të inovacionit nëpërmjet ndarjes së tij në internet, ose së paku një pjese të tij.

Me fjalë të tjera, kostoja e shkeljes së të drejtës së autorit është ndarë në mes tre aktorëve kryesorë: mbajtësit e të drejtave, platformat dhe përdoruesit. Dhënësit e të drejtave, siç janë botuesit apo kompanitë e komunikimit, informojnë platforma të tilla si YouTube ose Facebook për shkelje të përmbajtjes, platformat reagojnë dhe përdoruesit janë të vetëdijshëm se janë përfundimisht përgjegjës për atë që bëjnë dhe thonë në internet.

Propozimi: programe filtrimi automatik

Direktiva e propozuar për të drejtën e autorit do të zhvendoste një pjesë shumë më të madhe të përgjegjësisë dhe kostos së shkeljes së të drejtave të autorit tek platformat, të cilat duhet të monitorojnë në mënyrë parandaluese atë që është ngarkuar në serverat e tyre. Kjo do të thotë që do të kenë nxitje të fortë për të qenë tepër kufizues në mënyrë që të shmangin përgjegjësinë dhe gjobën. Por në fund, edhe një herë, do të jenë përdoruesit dhe liria e fjalës që do të mbajnë  peshën, sepse ata do të pengohen nga publikimi i videove, këngëve, imazheve dhe produkteve derivative – të tilla si paroditë, kritikat, diskutimet, lajmet apo hulumtimet, në rastet kur ato përfshijnë disa elemente të pambrojtura të një pune të mbrojtur. Edhe një herë, liria e shprehjes ose e fshehtësisë së një shtetasi britanik ose të Bashkimit Evropian nuk do të gjykohet nga një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar apo Bashkimin Evropian, por nga softueri i zhvilluar nga një kompani private amerikane.

Përtej hollësive ligjore, ndoshta pjesa më problematike e këtij propozimi ka të bëjë me një aspekt teknologjik: softueri filtrues që ligji do ta bënte të detyrueshëm, në thelb nuk ekziston. Nuk ka softuer të aftë për të raportuar në mënyrë të besueshme përdorimet problematike të materialit të mbrojtur nga përdorimet e lejuara (si kritikat, paroditë ose lajmet), dhe njohja e saktë e përmbajtjes është ende e pakët. Për shembull, disa leksione universitare ose dijetarë të njohur për të drejtën e autorit janë bllokuar për shkelje të të drejtës së autorit.

Edhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të treguar sa sipërfaqësor dhe problematik është ky propozim. Ekzistojnë dëshmi të forta që tregojnë ndikimin negativ që kjo dispozitë do të kishte në të drejtat themelore – dhe e gjithë kjo sjell shumë dobi në aspektin e mbrojtjes shtesë për mbajtësit e të drejtave.

Është e vërtetë se shtypi i pavarur dhe mjetet e komunikimit, të domosdoshme për një demokraci funksionale janë nën një presion të madh financiar pasi lexuesit shkojnë në internet për përmbajtjen “e lirë”. Po ashtu, platformat e internetit, kryesisht të bazuara jashtë Bashkimit Evropian, shpesh konkurrojnë në mënyrë të padrejtë me operatorët e BE-së, kryesisht për shkak të pozicioneve të tyre dominuese dhe shmangies së taksave. Këto janë probleme që kërkojnë një zgjidhje. Por metodat e propozuara në direktivën për të drejtën e autorit nuk do të zgjidhin asgjë; përkundrazi, është e qartë se do ta bëjnë copë internetin. / Në shqip nga bota.al