Ballina Aktualitet Lajme Kushtet ekonomike dhe karriera ulin numrin e lindjeve (VIDEO)

Kushtet ekonomike dhe karriera ulin numrin e lindjeve (VIDEO)

Arsimimi, sigurimi i vendit të punës, krijimi i karrierës dhe ekzsitenca, janë vetëm disa nga faktorët që shtyjnë shumë familje të mos shtohen me më shumë se një fëmijë. Këtë e tregojnë edhe të dhënate e Entit për statistikë, sipas të cilave në vitin 2017 në Maqedoni kanë lindur gjithësejt 21.754 fëmijë të gjallë. Krahasuar me vitin 2016, kjo shifër është ulur për 5.4%. Nga ana tjetër, sociologët si shkak tjetër pëmendin faktorin që ata e quajnë të fshehur ose të padukshëm, kur shumë kompani në vend detyrojnë gratë të nënshkruajnë marrëveshje për të mos lindur në një periudhë prej 3 ose 6 vjeçare. Në të kundërtën humbin vendin e punës.

Hulmtimet tona që bëjmë na tregojnë se një pjesë e grave nuk guxojnë të lindin as fëmijën e parë për shkak se në kompanitë ku punojnë paraprakisht u japin klauzula që të nënshkruajnë marrëveshje. Janë klauzula që prej 3 deri në 6 vjet, varësisht nga kompania ku punojnë, nënshkruajnë marëveshje se nuk do të ngelin shtatzënë. Keni edhe shumë ndërmarrje të mëdha, brende, të cilat lejojnë shumë pak pushim lindjeje. U thonë se u takon vetëm 3 muaj pushim edhe pse ligjërisht e dimë se pushimi mjekësor është 9 muaj. Nëse nuk e pranojnë këtë, ata mund ta humbin vendin e punës – deklaroi Tatjana Stojanovsk Ivanova, sociologe.

Ndërkohë, qytetarët e anketuar për Alsat thonë se gjendja momentale ekonomike në vend mundëson rritjen e vetëm një ose e shumta dy fëmijëve.

“Të rinjtë e sotëm mendojnë më ndryshe, mendojnë për të ardhmen, mendojnë që nuk kanë shpresë që perspektiva e fëmijëve të tyre do të jetë si e atyre”.

“Unë kam një fëmijë dhe nuk planifikoj për fëmijë të dytë ose të tretë. është mjaftueshëm. Nuk ka para, krizë, është vështirë të sigurosh punë”.

Edhe mjekët gjinekolog pranojnë se për shkak të faktorëve të lartpërmendur, shumë shpesh gratë vendosin të lindin pas moshës 30 vjeçare. Mirëpo, thonë se planifikimi i familjes pas moshës 35 vjeçare bart në vete edhe shumë rreziqe në zhvillimin e foshnjës.

Gratë që dëshirojnë të mbesin shtatzënë, posaçërisht pas moshës 35 vjeçare përballen me rrezik për abort spontan, rrezik nga shtatzani jashtë mitrës. Ky rrezik është 4 deri në 8 herë më i lartë në moshën 35 vjeçare, anomali gjenetike të fetusit, anomali të zemrës, hernia diafragmale. Këto janë proleme që paraqiten në fillimin e shtatzanisë ndërsa më tutje, me rritjen e shtatzanisë vijnë në shprehje disa faktorë të tjerë. Gratë më të moshuara kanë edhe rreziqe të tjera, ato kanë rrezik më të madh për sëmundjen që mbajnë siç janë karcinomet, sëmundjet autoimune, sëmundjet kardiovaskulate, pesha dhe të tjera”.

Në vitin 2017 mosha mesatare e përgjithshme e grave që kanë lindur ka qenë 29.6 vjeçare në qytet dhe 28 vjecare nëpër fshatra. Ndërkohë, sipas rajoneve. Numër më të madh të lindjeve ka pasur në rajonin e Shkupit me 35.6 % ndërsa më pak ka pasur në rajonin lindor me 6.7 %.

Melihate Rustemi