Ish agjenti i CIA-s, Steven Hall ka shfaqur haptazi shqetësimin ndaj takimit që do të realizohet midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Ai shprehet në analizën e tij se Rusia shihet si shteti që do të përfitojë më shumë nga ky samit.
Hall vijon të thotë më tutje se ky takim është kërkuar enkas nga Putini, në mënyrë që ky i fundit t’i demonstrojë skenës botërore se Rusia është ende një lojtare qendrore.
Ai thekson midis të tjerash që Putin nuk kërkon të arrijë vetëm kaq, por ai synon minimin dhe përfundimisht dobësimin e demokracive perëndimore.
Ish agjenti i CIA-s drejt fundit të analizës së tij jep dhe një sërë shembujsh se si Donald Trump mund t’i parandalojë synimet e Putinit dhe një ndër to është përmendja që presidenti amerikan duhet t’i bëjë atij rus për veprimet që ky i fundit ka ndërmarrë në botën e qytetëruar, të cilat, sipas Hall, kanë rezultuar të neveritshme.
Analiza e Steven L.Hall
Si një ish pjesëtar i CIA-s, unë jam i shqetësuar për samitin e ardhshëm midis ish-oficerit të KGB-së, presidentit Vladimir Putin, dhe ish-biznesmenit të pasurive të paluajtshme dhe personazhit të njohur të reality show-s në SHBA, presidentit Donald Trump.
Shqetësimet e mia përqëndrohen në faktin se Rusia ka shumë për të fituar dhe nga këndvështrimi im, Shtetet e Bashkuara fitojnë pak, në mos aspak. Vetë fakti që Putin ka lënë një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara e ndihmon pa masë udhëheqësin rus në realizimin e dëshirës së tij urgjente, për të treguar se Rusia është ende një lojtare qendrore në skenën botërore.
Sidoqoftë, nuk ka asnjë dobi të kundërt për SHBA-në, që do të thotë se as SHBA-ja, dhe as aleatët tanë nuk kanë shumë për të fituar nga takimi ballë për ballë. Ja çfarë më frikëson më shumë. Rusët që sulmojnë zgjedhjet në SHBA dhe në vende të tjera, janë sigurisht të këqij. Aneksimi ilegal i një pjese të një shteti tjetër sovran (Ukrainës), është një veprim i keq. Përpjekja, madje edhe vrasja e rusëve në Mbretërinë e Bashkuar, është diçka e keqe.
Por këto janë vetëm elementë të veçantë, të një plani shumë më të madh të Putinit: minimi dhe përfundimisht dobësimi i demokracive perëndimore, deri në pikën ku Putini (ndoshta me bashkëpunimin e disa aleatëve të tij kyçë, si Kina, Irani, Siria dhe të tjerët), të ri-organizojë sistemin e sigurisë gjeopolitike, në diçka që i afrohet më shumë shijeve të tij.
Nëse ka ndonjë gjë që mund të diskutohet dhe që do të ishte në interes të SHBA-së, është pikërisht kjo. Por do të kërkonte që Trump të fshikullone ashpër Putinin në takim, gjë që duket e pamundur. Kjo na sjell tek qasja e Trump ndaj aleatëve tanë. Në raport me Rusinë, aleatët e NATO-s duhet të jenë një prioritet i Uashingtonit.
Por mos krijoni iluzione. Është diçka e mirë që Trump do t’i takojë aleatët, para se të takohet me Putinin. Por çfarë ka thënë kohët e fundit, presidenti ynë për aleatët tanë të NATO-s? Shtimi i presionit ndaj disa partnerëve të NATO-s, për të përmbushur detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës, mund të jetë një argument i arsyeshëm.
Por ky është një diskutim që duhet të mbahet privatisht me partnerët tanë të NATO-s dhe s’duhet të bëhet publike, që të mund të përdoret më vonë nga Putin. Nëse qëllimi politik i Perëndimit është të paktën pjesërisht garantimi që Rusia të mos ketë sukses në dobësimin e demokracive perëndimore, atëherë aleatët perëndimorë – zakonisht të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – duhet të jenë të unifikuar përballë Rusisë.
Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bien gjithnjë dakord me aleatët dhe as Shtetet e Bashkuara dhe as vende të tjera të NATO-s nuk do të marrin përherë gjithçka që duan. Por aleatët janë si familja, pasi ata duhet të qëndrojnë së bashku përballë kërcënimeve të jashtme, ndërsa mosmarrëveshjet e tyre të brendshme i diskutojnë në heshtje dhe midis tyre.
Ankesat se Putini ka fituar tashmë, duke patur mundësinë të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara (gjë që është e vërtetë), kanë tani shumë pak vlerë. Takimi do të ndodhë sepse këtë e duan që të dy, si Putin ashtu edhe Trump. Pra, në një botë ideale, cilat duhet të jenë synimet e SHBA-së për këtë samit, dhe si duhen ndjekur ato?
Së pari, presidenti amerikan duhet t’i thotë drejtpërdrejti Putinit se nën udhëheqjen e tij, Rusia ka vepruar në një mënyrë që është e neveritshme për botën e qytetëruar. Trump duhet t’i përmendë aneksimin rus të Krimesë, destabilizimin e vazhdueshëm ushtarak të Ukrainës në lindje të vendit, dhe sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj proceseve elektorale perëndimore si shembuj.
Nëse Putin refuzon t’i pranojë këto fakte, atëherë Trump duhet të bëjë atë që ai premtoi se do të bënte me liderin koreano-verio Kim Jung Un, nëse gjërat nuk shkojnë mirë, domethënë, të ngrihet nga tavolina dhe të largohet.
Së dyti, presidenti Trump duhet t’ia bëjë të qartë Putinit se, të gjitha vendet e NATO-s bien dakord se sjellja e Rusisë nën udhëheqjen e Putinit ka qenë e papranueshme. Trump duhet të sigurohet që Putini ta kuptojë se NATO dhe aleatët e tjerë amerikanë mbështesin plotësisht parimin, se sanksionet ekonomike dhe të llojeve tjera kundër Rusisë, do të vazhdojnë derisa Moska të ndryshojë sjellje.
Së treti, presidenti amerikan duhet t’ia bëjë të qartë Putinit se, ekzistenca e sanksioneve dhe pakënaqësive të tjera për shkak të sjelljes së keqe në rrafshin ndërkombëtar, nuk do të thotë se s’mund të ketë asnjë komunikim ndërmjet dy vendeve.
Ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë, ka disa çështje në të cilat kontakti me Rusinë do të ishte në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Një shembull mund të jetë vazhdimi i punës për zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e armëve. Por Trump duhet të jetë i qartë: për diskutime të tilla, s’ka nevojë për samite mes presidentëve, pasi ato mund të trajtohen nga ekspertë rusë dhe amerikanë.
Kjo do të pengonte përpjekjet e Putinit, për ta portretizuar Rusinë si një fuqi të madhe botërore.
Pavarësisht sugjerimeve, unë nuk pajtohem me vendimin e presidentit për t’u takuar me Putinin. Në vend të kësaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të izolojë Rusinë. Ne duhet ta mbajmë atë nën kontroll, dhe jo të angazhohemi në nivelet më të larta.
Por ka ende mënyra, përmes të cilave Trump mund t ’i dërgojë Putinit mesazhin e duhur. Por nëse ai nuk arrin të ballafaqohet me presidentin rus mbi çështje të tilla, si sulmi ndaj demokracive perëndimore, ndryshimi anti-ligjor i kufijve të një vendi fqinj dhe ndërmarrja e operacioneve ushtarake për të destabilizuar kombet e tjera, Trump do të shfaqet i dobët para Putinit (dhe kritikëve të presidentit amerikan).
* Steven L.Hall u tërhoq nga CIA në vitin 2015, pas 30 vjetësh në drejtimin dhe menaxhimin e operacioneve të inteligjencës në Euroazi dhe Amerikën Latine.