Mustafa Nano është vënë në qendër të kritikave online, pas disa deklaratave të dhëna në Beograd, sidomos për Kosovën.
Në një intervistë për Panorama, ai thotë se këto debate i duken pa vlerë.
“Kemi dhënë e kemi marrë aq shumë, sa mund të thuhet pa frikë se në gjakun serb ka shumë prej Shqipërie, ashtu si në gjakun shqiptar, sidomos në Kosovë, ka shumë prej Serbie.
Kjo që thashë mund t’u duket një çmenduri, por nuk është. Në harkun e shekujve ka pasur me mijëra krushqira të lidhura, të cilat kanë pasur efektin e tyre.
Ka pasur edhe shumë zhvendosje popullsish e asimilime në të dyja krahët.
Edith Durhami, të cilën ne shqiptarët e kemi shumë xhan, por edhe Hahni e të tjerë, e kanë vënë në dukje këtë ngjashmëri.
Përveç kësaj, ne i mëshojmë shumë armiqësisë sonë, por kjo armiqësi – dhe kjo është një tezë tjetër e imja, të cilën e kam shtjelluar me imtësi në librin “Sandëich” – është e vonë, dhe është jo më e gjatë se 150-vjeçare.
Pastaj, edhe kulturalisht ne kemi dhënë e kemi marrë.
Shikoni traditat tona orale, të cilat ne i shfrytëzojmë për të krijuar një klimë emulative, i shfrytëzojmë për të thënë se “jemi ne djepi i traditave orale në Ballkan”, në një kohë që e vërteta është se nuk ka një traditë orale ekskluzivisht serbe, boshnjake, malazeze, shqiptare, etj., por ka një traditë orale ballkanike, se tradita orale ballkanike është një “joint venture” dhe se çdo traditë orale kombëtare është pjella, jo djepi i kësaj tradite orale ballkanike.
E prandaj, unë mendoj se është e pakuptueshme, madje edhe qesharake, grindja që bëjnë akademikët e historianët për ta vjedhur këtë traditë ballkanike e për ta bërë të tyren.
Siç shihet, edhe gjëra që na bashkojnë, ne i shndërrojmë menjëherë në gjëra që na ndajnë dhe kjo është absurde. Doni më? Ka edhe fjalë që ne i kemi huazuar nga njëri tjetri.
Ka fjalë të shqipes, fjala vjen, që janë me origjinë serbe, siç janë kovaç, shëtit, vadit, kosit.
Madje, me shumë gjasë edhe fjala “vatër”, të cilën shqiptarët e Amerikës e kanë përdorur për të pagëzuar organizatën famëmadhe “Vatra”, është me origjinë serbe.
Për të mos folur për fjalët që ne i kemi të përbashkëta prej pushtimit osman, si zanat, inat, hajde etj..
Dhe mua më vjen çudi se si mund të tërbohet njeriu prej titullit “Provokacija”, që unë kam zgjedhur për programin tim”, shprehet ai.
“Idro Seferi që moderonte një nga sesionet e konferencës (në Beograd), e nisi diskutimin me mua bash me këtë pyetje: Pse ky emër për programin tuaj televiziv? Duket që ka bërë përshtypje. Mirëpo nuk duhet të bëjë”, vijon ai.
“Përgjigjja ime ishte në frymën e tezave që unë mbroj: Kam dashur t’u përcjell shqiptarëve mesazhin se me serbët nuk është vetëm armiqësia që na mban të lidhur dhe se gjërat serbe nuk janë apriori të huaja e armiqësore për ne. E di, kjo tingëllon surreale, ose më e pakta provokative, por nuk është as surreale, as provokative.
Na duket e tillë ngaqë jemi mëkuar qysh në djep me idenë se serbët janë armiqtë tanë të përjetshëm, se ata nuk mund të jenë gjë tjetër, veçse armiqtë tanë dhe se ne shqiptarët nuk mund të përkufizohemi ndryshe, veçse nëpërmjet armiqësisë e urrejtjes ndaj serbëve.
Kjo ka qenë e vërtetë në periudha të caktuara në harkun e 150 viteve të fundit, por jo më parë. E nuk ka pse të projektohet edhe në të ardhshmen. Sidomos nëse mendojmë që Kosova do të jetë gjithnjë e më pak një problem”, shprehet Nano.(TemA)