Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han sot njoftoi hapjen e procesit të skriningut ose vlerësimit në vend. Ai përmendi si të rëndësishme reformat që kanë mbetur pa zbatuar dhe ftoi qytetarët për pjesëmarrje në referendum.
Ne do të fillojmë aktivitetet e para tani për të përgatitur vendin tuaj të fillojë bisedimet në qershor të 2019-tës si pasojë e vendimit të Këshillit. “Skriningu” do t’ju lejojë juve që edhe më tej të familjarizoheni me legjislacionin evropian. Gjithashtu do t’i lejojë Komisionit që të vlerësojë edhe më tej përgatitjen tuaj për të marrë përsipër obligimet e anëtarësimit. Kjo do të përfshijë të gjithë Kapitujt duke filluar nga ai i sundimit të së drejtës me numër 23, i cili është për juridiksionin dhe të drejtat themelore por gjithashtu Kapitulli 24 i cili është për drejtësi, liri dhe siguri. Kjo tregon për angazhimin tonë të fortë për t’u shoqëruar juve në rrugën e reformave dhe të kthejmë perspektivën e integrimit evropian në realitet – deklaroi Johanes Han, komisioner për zgjerim.
Eurodeputeti Ivo Vajgël tha se procesi skrining është hapi i parë i përshtatjes së legjislaturës vendore me atë të Bashkimit Evropian, për të cilën ftoi të gjithë anëtarët e parlamentit të punojnë bashkërisht.
Anëtarësimi në BE po ashtu edhe anëtarësimi në NATO është një mundësi historike për Maqedoninë. Nuk do të ketë mundësi të dytë. Prandaj dua t’ua kaloj juve mesazhin se nuk do të ketë mundësi të dytë që të përpiqeni t’i zgjidhni çështjet e hapura të cilat kanë penguar progresin e Maqedonisë për shumë vite – tha Ivo Vajgëll, eurodeputet.
Zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, deklaroi se kjo është koha e vendimeve të rëndësishme.
Tani më kemi një vit përpara nesh. Të tregojmë se a e meritojmë vendin në familjen euro-atlantike apo jo. Tani është momenti të tregojmë unitet dhe gjeneratave të ardhshme t’u lejmë një shtet me vlera evropiane në të cilin do të ndërtojnë ardhmërinë e tyre. Ky është drejtimi i lëvizjes të cilën e presin mbi 75% e popullatës -u shpreh Bujar Osmani, zv.kryeministër për çështje evropiane.
Kryetari i Këshillit nacional për euro-integrime Nikolla Popovski deklaroi që nuk ka arsye për të festuar kur nuk ka asnjë garancë se skriningu ose vlerësimi nuk do të zgjasë me vite.
Skrining përafërsisht do të thotë diagnozë. Kjo nënkupton shqyrtim të ligjeve se ku kemi pajtueshmëri me BE-në dhe e dyta se a kemi institucione që mund t’i zbatojnë. Kjo është punë e cila sipas rregullores së BE-së duhej në Maqedoni të kishte filluar në vitin 2005. Këto njerëz nga Brukseli që sot kanë ardhur këtu janë miqtë tanë të sinqertë sepse janë të angazhuar dhe besojnë në idenë e Monesë se BE-ja është projekti më i sukseshëm i paqes. Por ne duhet ta shohim realitetin. Ata janë pakicë. Shumica në BE sot janë neutralisht negativë dhe ne nëse nuk i fitojmë zemrat e tyre do të presim edhe për shumë vite dhe për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm për vendimet që marrim – theksoi Nikolla Popovski, kryetar i Këshillit nacional për euro-integrime.
Për 33 Kapitujt për anëtarësim të Maqedonisë në BE duhet të formohen 33 grupe pune në të cilat do të përfshihen përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave joqeveritare./am/