Donald Trump duket po përgatitet për një luftë frontale tregtare me Kinën.
Presidenti amerikan kërcënon që të vendosë tarifa të reja shtesë prej 200 miliardë dollarësh mbi mallrat kineze. Taksa prej 10% do të hyjë në fuqi nëse Pekini nuk ndryshon praktikat e tij, paralajmëroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Pergjigjja e Kinës ishte flakë për flakë: ajo i akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shantazh e tha se do të reagojë me tarifa të tjera.
Trump këmbëngul se Kina ka përfituar në mënyrë të pandershme prej një mungese ekuilibri tregtar me Amerikën për vite të tëra. Javën e kaluar ai njoftoi vendosjen e tarifave në masën 25% mbi produkte kineze me vlerë 50 miliardë dollarë.
Pekini ia ktheu me të njëjtën monedhë, duke shënjestruar 659 produkte amerikane, përfshirë edhe pikën e dobët të Shteteve të Bashkuara, sojën. Kina është tregu më i madh në botë i sojës dhe pasojat pritet të jenë të ndjeshme për fermerët, por edhe për portofolin e konsumatorëve, thotë CNN.
Tregjet aziatike pësuan një rënie të ndjeshme të martën pas këtyre lajmeve dhe frikës së një përkeqësimi të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare Kinë-ShBA.