Pesë milionë denarë do të investohet për rikonstruimin e tërësishëm të çerdhes Rinia 1 dhe 2 në Tetovë. Drejtoresha e çerdhes “Rinia”, Ramije Dauti, është shprehur se ky investim është i pari që nga ndërtimi i objekteve në vitet e 70-ta, dhe sipas saj, ky investim do të rrit edhe sigurinë e fëmijëve, por edhe do të kenë hapësira më shumë ku mund të argëtohen, shkruan gazeta KOHA.
“Do të jetë ky një renovim total i këtij objekti, respektivisht dy objekteve Teteks 1 dhe Teteks 2. Bazohemi në atë që do të ketë ndërrim të ndriçimit, kanalizimit, ujësjellësit… gjithashtu hapësirat që i kemi këtu të gjitha do të kenë një pamje tjetër. Renovime kemi pasur çdo vit nga pak, por këtë radhë vendosëm që të rregullojmë tërësisht objektin pasi kjo nuk është bërë ashtu siç duhet nga koha kur janë ndërtuar Teteks 1 në vitin 1977, ndërsa Tetekst 2 në 1973 dhe prej atëherë nuk kemi pasur kështu lloj renovimi”, tha Ramije Dauti, drejtoreshe e çerdhes Rinia në Tetovë. Ndërkohë në inspektimin e punimeve në çerdhe që bëri sot, kryetarja Teuta Arifi është shprehur se investimet nuk mungojnë edhe nëpër institucionet tjera arsimore.
“Gjatë kësaj periudhe të verës, meqenëse kemi punë intensive edhe në shumë institucione tjera arsimore, i është dhënë një rëndësi e madhe pikërisht krijimit dhe rritjes së standardeve me qëllim që të mundemi të kemi vende sa më të mira për sa u përket fëmijëve. Investimi që bëhet sot është investim prej pesë milionë denarësh dhe që përfshin investim prej mjeteve vetanake”, tha Arifi. Ajo më tej është shprehur se është duke u punuar edhe në rregullimin e qendrave ditore që priten të hapen në dy fshatrat e Malësisë së Tetovës, ndërsa ka theksuar se projekti për një çerdhe të re që pritet të ndërtohet tek shkolla “Kirili dhe Metodi”, është dorëzuar i kompletuar në Qeveri dhe presin që i njëjti të marrë përkrahjen e Qeverisë.