Tepër i ashpër është paraqitur në paralajmërimet kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.Pas paralajmërimeve për shpalljen non-grata të arkitektit të huaj të Teatrit të ri Kombëtar, Basha paralajmëroi edhe kompaninë ndërtuese Fusha Sh.P.K. dhe duke shkuar një hap më tej, paralajmëroi çdo kompani që përfiton nga PPP-të dhe tenderat qeveritare.“Dua t’i bëj sot një paralajmërim të qartë Fusha SH.P.K.-së, dhe çdo kompanie tjetër që bëhet vegël përmes PPP-ve, tenderave dhe koncesioneve në procesin e grabitjes së pasurive publike të shqiptarëve. Nuk ka asnjë shans të gëzoni frytet e një ndërmarrjeje të tillë kriminale.
Asnjë shans. Çdo veprim i Fusha SH.P.K., dhe çdo entiteti tjetër do të jetë subjekt i një ligji antimafia. Do t’ju fillojmë që ditën e parë të biznesit dhe në bazë të ligjit antimafia do t’ju sekuestrojmë çdo centimetër dhe çdo cent për shkeljet që do t’ju konstatojmë. Sikundër nëse guxoni ti vini minat Teatrit kombëtar, të jeni të sigurt se minat do tua vëmë edhe kullave tuaja, me ligj. Ky paralajmërim vlen edhe për ndonjë bankë që mendon se mund të investojë në këtë projekt, ndonëse kam bindjen se paratë janë para të Toyotave Yaris.”“Kjo aferë do t’i marrë me vete në gropën që duan të hapin në mes të Tiranës”, tha Basha.“Këta gjejnë çdo sebep të rremë për të çuar deri në fund aferën. PD e konsideron aferën si një atentat me pasoja fatale për liritë dhe pronën e qytetarëve shqiptarë. Popullit i lind e drejta të rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat, jo për ta mbrojtur, por që fati i Teatrit të mos iu vijë në shtëpitë e tyre, në oborret e tyre”.