Guy De Maupassant*
E doja çmendurisht. Përse dashurojmë? A nuk është e çuditshme që për dikë, të ekzistojë në botë një qenie e vetme, një mendim i vetëm, një dëshirë e vetme, një emër i vetëm? Një emër që çel nga buzët, që vërshon si uji i një burimi, që ngjitet nga thellësitë e shpirtit dhe përsëritet pa reshtur, kudo, si një lutje. Nuk do të tregoj këtu historinë tonë. Dashuria ka vetëm një histori, që ripërtërihet ngaherë.
U njoha dhe u dashurova me të, kjo është e gjitha. Dhe jetova një vit në ëmbëlsinë e saj, në krahët e saj, me ledhatimet e saj, me shikimin e saj, me rrobat e saj, me fjalët e saj, mbështjellë, lidhur, prangosur në gjithçka që vinte prej saj, plotësisht, saqë nuk dija më nëse ishte ditë apo natë, nëse isha gjallë apo i vdekur, nëse isha mbi tokë apo tjetërkund.
Dhe një ditë ajo vdiq. Si? Nuk di, nuk di më! Në një ditë me shi u kthye në shtëpi e lagur dhe të nesërmen filloi të kollitej. U kollit një javë të tërë, pastaj zuri krevatin. Çfarë ndodhi? Nuk e di. Mjekët vinin, shkruanin receta, iknin. Dikush sillte ilaçe dhe një infermiere ia jepte. Duart e saj digjnin, balli i qullur dhe përvëluar, shikimi i shndritshëm dhe trishtuar. I flisja, më përgjigjej. Për çfarë flisnim? Nuk e di. Kam harruar gjithçka, gjithçka !
Më kujtohet frymëmarrja e saj e dobët kur vdiq. Ajo frymëmarrje aq e dobët, e fundit. Infermierja tha:“Ah!”. Dhe unë e kuptova. Kuptova. Nuk dija më asgjë. Asgjë. Pashë një prift që shqiptoi një fjalë:“E dashura juaj ?” Mu duk se po e fyente. Meqë kishte vdekur, nuk kishin të drejtë ta kujtonin atë formalitet. E dëbova priftin. Erdhi një tjetër, që u tregua shumë i mirë, shumë i sjellshëm. Qava kur më foli për të.
Më kërkuan njëmijë gjëra lidhur me funeralin. Nuk di më, por më kujtohet mjaft mirë qivuri, zhurma e çekiçit kur mbyllën kapakun. Ah, o Zot, o Zoti im! E groposën. E groposën! Ajo në atë varr. Disa miq ishin të pranishëm. Ika. Vrapoja. U enda gjatë rrugëve.
Pastaj u ktheva në shtëpi ditën tjetër dhe u nisa për një udhëtim të gjatë. Dje u ktheva në Paris. Kur e pashë sërish dhomën time, dhomën tonë, mobiliet tona, krevatin tonë, atë dhomë ku kishin ngelur ato që mund të ngelen nga jeta e një njeriu pas vdekjes, më kapi një dhimbje kaq e fortë, saqë për pak sa nuk hapa dritaren të hidhesha në rrugë.
Nuk munda më të rrija mes atyre gjërave, midis atyre mureve që e kishin mbrojtur dhe ngrohur, dhe që në hapësirat e tyre duhet të ruanin një mijë atome nga ato që shërbenin për të ikur përsëri.
Papritur, ndërsa shkoja tek porta, kalova përpara pasqyrës së madhe, të cilën ajo e kishte vënë tek hyrja, për të parë sa herë dilte nëse çdo gjë ishte në rregull në veshjen e saj, nga koka tek këmbët, nga çizmet tek flokët e krehur. Ndalova aty, i shtangur, përballë asaj pasqyre që e kishte pasqyruar kaq herë! Shumë e shumë herë, saqë duhej t’ia kishte ruajtur imazhin. Qëndroja aty, në këmbë, me shikimin e ngulur tek pllaka e hollë, mbi atë kristal të thellë e të sheshtë, tanimë të zbrazët, por që e kishte përmbajtur të tërën, e kishte pushtuar si unë, pushtuar, ashtu si shikimi im pasionuar dhe u drodha i tëri. Mu duk se e doja atë qelq. E preka, ishte i akullt!
Oh, kujtimi, kujtimi i saj, imazhi i dhimbshëm imazhi i zjarrtë, imazhi i gjallë, imazhi tmerrshëm që më torturon të ngjashme me një pasqyrë, ku reflekset shkasin tej dhe humbin, një zemër që harron gjithë çka mbajtur brenda, gjithë çka jetuar, gjithë çka kundruar me dashuri!
Ndihem keq ! Dola dhe për fatin tim të keq, pa e kuptuar, pa dashur, shkova drejt varrezave. Gjeta varrin e thjeshtë të saj, me një kryq mermeri që mbante të shkruara këto fjalë: DASHUROI. E DASHURUAN DHE VDIQ.
Çfarë tmerri ! Ajo është atje poshtë, e kalbur. Psherëtija, me ballin te mermeri. Qëndrova gjatë, gjatë. Vonë e kuptova se dielli po perëndonte. Atëherë më pushtoi një dëshirë e veçantë, një dëshirë e marrë një dëshirë e denjë për një dashnor të dëshpëruar. Desha ta kaloja natën pranë saj, një natë të fundit, duke qarë mbi varr por do të më shihnin dhe do të më nxirrnin jashtë. Si t’ia bëja?
Më lindi një mendim. U ngrita dhe fillova të vërtitesha në atë qytet të populluar nga njerëz që nuk janë më mbi këtë tokë. Sa i vogël është ky qytet në krahasim me atë tjetrin, atë ku jetojmë! E pra, të vdekurit janë më të shumtë se të gjallët. Ne na duhen shtëpi të mëdha,rrugë, sheshe për katër breza që shohin diellin njëkohësisht, pijnë ujin e burimeve, verën e vreshtave dhe hanë bukën e fushave me drithë. Kurse për gjithë brezat e të vdekurve, për gjithë njerëzit që kanë zbritur deri këtu, gati asgjë… një copëz tokë… gati asgjë! Toka i merr, harresa i fshin. Lamtumirë!
Në skajin e asaj fushe, dallova pa pritur varrezën e braktisur, ku ata që kanë vdekur prej kohësh, janë kthyer në pluhur, ku deri edhe kryqet prej druri po kalbeshin. Ajo është fusha ku nesër do të vendosen të vdekurit që do të vijnë. Është plot me trëndafila të egër, me qiparisa të drejtë, një lloj kopshti i braktisur, i trishtuar dhe madhështor, një kopsht që ushqehet me mish njerëzor. Aty isha vetëm unë, krejtësisht vetëm. U fsheha pas një bime të gjelbër, duke u njëjtësuar me ato degë të mëdha dhe të errëta.Dhe prita kapërthyer me trungun si mbyturi pas një dërrase.
Kur u bë natë e plotë dola nga strehimi im dhe fillova të eci i qetë, pa bërë zhurmë.U vërtita gjatë, gjatë… Nuk arrija dot ta gjeja varrin e saj. Me krahët e shtrirë, sytë e zgurdulluar, duke u përplasur pas varreve me duar, me këmbë, me gjunjë, me gjoks, me kokë, shkoja përpara pa e gjetur duke ecur nëpër terr si një i verbër. Prekja gurët e varreve, kryqet, parmakët e hekurit, kurorat me lule të vyshkura. Lexoja emrat me gishta, duke i kaluar përmbi shkronja. Ç’natë! Nuk arrija ta gjeja. Një natë e frikshme! Pa hënë.
Kisha frikë, një frikë rrëqethëse, nëpër ato rrugë të ngushta, me dy radhë varre. Varre, varre, varre! Veç varre! Në të djathtë e në të majtë, përpara meje, rreth meje, varre kudo ! U ula mbi një syresh, ngaqë nuk mund të ecja më, sepse gjunjët po më thyheshin nga lodhja. E ndieja që zemra rrihte fort. Ndieja edhe gjëra të tjera. Çfarë? Një zhurmë të turbullt, të papërshkruar! Ishte në trurin tim të lodhur ajo zhurmë ? Në natën e padepërtueshme apo nën tokën misterioze, nën tokën e mbjellë me kufoma ? Po shihja përreth. Sa kohë ngela aty? Nuk e di.
Isha paralizuar nga frika, gati për të bërtitur, gati për të vdekur. Dhe papritur, mu duk se rrasa e mermertë ku isha ulur, filloi të lëvizte. Lëvizte sikur dikush të ishte duke e ngritur! Me një kërcim u hodha te varri pranë dhe pashë – po ! – pashë të ngrihej rrasa e varrit ku isha ulur dhe të dilte i vdekuri, një skelet i zhveshur, që e ngrinte me shpatullat e përkulura. E shihja, e shihja qartë megjithëse ishte një natë e errët. Munda të lexoj mbi kryq:
KËTU FLE ZHAK OLIVANTI. VDIQ NË MOSHËN 51 VJEÇ. E DONTE FAMILJEN E VET. ISHTE I MIRË DHE I NDERSHËM. VDIQ NË PAQEN E ZOTIT.
Edhe i vdekuri lexonte fjalët e shkruara mbi varrin e vet. Pastaj mori një gur të mprehtë dhe filloi t’i fshinte të gjitha fjalët duke i hedhur tej. I fshiu plotësisht ngadalë, duke ngulur sytë e zgavërt aty ku pak më parë ishin shkruar fjalët. Pastaj me majën e kockës, që duhej të ishte gishti i vet tregues, shkroi me gërma të shndritshme :
KËTU FLE ZHAK OLIVANTI. VDIQ NË MOSHËN 51 VJEÇ. ZEMËRZI, SHPEJTOI VDEKJEN E TË ATIT PËR T’I MARRË PASURINË. IA NXIU JETËN GRUAS DHE FËMIJËVE, MASHTROI FQINJËT E VET DHE VODHI SA MUNDI. VDIQ NË MJERIM.
Kur mbaroi së shkruari, i vdekuri ngeli pa lëvizur, duke kundruar punën e vet. U ktheva pas dhe vura re se të gjitha varret ishin hapur, të gjitha kufomat kishin dalë dhe të gjithë kishin fshirë gënjeshtrat e shkruara mbi varre. Të gjithë kishin shkruar të vërtetën.
Kësisoj, pashë se të gjithë ishin xhelatët e bashkëshortëve të tyre, mllefqarë, të pandershëm, hipokritë, gënjeshtarë, kopukë, shpifës, ziliqarë. Të gjithë ata baballarë të mirë, ata bashkëshortë besnikë, ata bij të devotshëm, ato vajza të pastra, ata tregtarë të ndershëm, ata burra dhe ato gra pa të meta, kishin mashtruar, vjedhur e kryer akte të turpshme. Mbi pragun e banesës së tyre të përjetshme, tani ishte shkruar e gjithë e vërteta e pamëshirshme, e tmerrshme, e vërteta e shenjtë, të cilën të gjithë e shpërfillin ose bëjnë sikur e shpërfillin mbi këtë tokë.
Më erdhi në mendje që edhe gruaja ime e dashur duhej të kishte shkruar të vërtetën mbi varrin e saj. Dhe tanimë pa frikë vrapova përmes varreve të hapura, midis kufomave dhe skeleteve. Shkova drejt saj, i sigurt se këtë herë do ta gjeja. E njoha nga larg edhe pa i parë fytyrën, mbështjellë ende me qefin.
Dhe mbi kryqin e mermertë, ku pak më parë ishte shkruar: “Dashuroi, e dashuruan dhe vdiq”, dallova: DOLI NGA SHTËPIA PËR TË TRADHËTUAR TË DASHURIN, E LAGUR NGA SHIU, MORI PLEVITIN DHE VDIQ.
Siç tregojnë, më gjetën në agim pranë një varri, gati pa shpirt.
****
*Henri René Albert Guy de Maupassant 1850-1893 ishte shkrimtar francez, mjeshtër i tregimit të shkurtër, përfaqësues i shkollës së natyralistëve dhe realizmit në letërsi. Titulli është i redaksisë