Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot në konferencë për shtyp ka ftuar qytetarët e Maqedonisë që të dalin në referendum dhe të votojnë “pro” marrëveshjes për emrin me Greqinë.
Ai gjithashtu ftoi edhe partinë opozitare maqedonase që të mbështet referendumin dhe të ftojë qytetarët që të marrin pjesë në referendum. Ai tha se data kur do të mbahet referendumi është më e rëndësishmja në histori të shtetit, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Dje Kuvendi konfirmoi datën për referendumin, ditë e cila është kyçe për të ardhmen tonë. Gjithë nga ne i është dhënë mundësia që të vendos për diçka të madhe. Kemi treguar se jemi popull që mësojmë nga historia. Vota juaj është e drejta juaj, mos lejoni që dikush t’ua marrë dhe ta keqpërdor. Ju ftoj të tregoni se askush nuk mund t’u tregojë se çfarë të bëni. Do ta respektoj votën tuaj, sido që të jetë. Unë besoj në vendimin e qyteatarëve dhe jam i bindur se Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, ndërsa populli maqedonas do të mbetet maqedonas dhe do të flasë maqedonisht”.
“Opozita dëshiron ta shkatërrojë të ardhmen tonë, ata thonë se mund të arrijnë marrëveshje më të mirë, por për këtë kishin 11 vite. Ata negociuan në mënyrë sekrete dhe mbajtën shtetin të robëruar. Është koha për vendime kyçe dhe historike dhe jo për ikje. Ju them sërish anëtarëve të OBRM-PDUKM-së, se dera edhe për ju është e hapur. Ju ftoj të gjithëve që të votoni me krenari dhe të themi “po” për stabilitet dhe anëtarësim në NATO dhe BE”, tha mes tjerash Zaev.
Ai shtoi se për momentin nuk mendon për referendum të pasuksesshëm dhe u shpreh i bindur se do të ketë dalje më shumë se 50 për qind, ndërsa shumica do të votojnë “pro”.