Teksa Beogradi është në vorbullën e propozimit për korrigjim kufijsh me Kosovën dhe një paqartësie mbi të ardhmen e Asosacionit të Komunave Serbe, hapet një front i ri polemikash.
Këtë herë me Izraelin.
Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së pilotëve dhe një delegacioni izraelit në ceremoninë festive që Kroacia organizoi në përkujtim të Operacionit Stuhia, i cili bëri të mundur kthimin nën kontrollin e kroatëve të disa zonave të banuara nga serbë.
Në kundërpërgjigje, Ambasada izraelite në Beograd reagoi duke thënë se pjesëmarrja e aeroplanëve izraelitë në Knin nuk ka elementë politik dhe është e lidhur ekskluzisht me kontratën e blerjes nga Kroacia të aeroplanëve F16 nga Izraeli.
Ambasadori serb në Izrael Milutin Stanojevic deklaroi për “Times” të Izraelit se Serbia është thellësisht e zhgënjyer nga pjesëmarrja e pilotëve izraelitë dhe avionëve luftarakë në festimin e “Operacionit Stuhia” në Kroaci.
“Ai ishte eksodi më i madh i një kombi që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Stanojevic, duke shtuar se “pjesëmarrja e Izraelit në festimin e fitores kroate nuk është një gjest miqësor ndaj Serbisë”.
Por Ambasada izraelite në reagimin e saj thotë se nuk asnjë ndryshim në politikën izraelite ndaj Serbisë dhe se miqësia e fortë mes dy vendeve nuk do të rrezikohet asnjëherë.
Më 4 gusht të vitit 1995, 150 mijë trupa kroate thyen linjat e ushtrisë serbe në Krajinë, për të avancuar drejt Kninit, ku disa zona të banuara nga serbët kishin deklaruar shkëputjen nga Kroacia.