Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ka për qëllim që Serbia të bëhet me kufij të qartë e jo të mbetet provizorium siç është tani gjendja, e cila, tha ai, krejtësisht ndryshe përshkruhet, ndërsa krejtësisht ndryshe është në terren, raporton Koha.net, duke cituar median serbe “Novosti”.
Duke shpjeguar qëndrimin e tij mbi “lajmin” e caktimit të kufijve me Kosovën, presidenti serb tha se nuk ka thënë asgjë të re dhe se ai mbron opsionin e demarkacionit qe ka shprehur për vite me radhë.
Vuçiç nder te tjera ka theksuar se Kosova është territori që nuk dihet kush si e trajton, kujt çfarë i takon në të dhe si e tillë gjithmonë burim i konflikteve të mundshme, transmeton Koha.net. “Kam folur për një demarkacion me shqiptarët dhe kjo është politika që unë përfaqësoj dhe nëse do të kemi sukses në këtë, nuk varet nga ne. Tango ka nevojë për dy persona. Zgjidhja për Kosovën dhe Metohinë, nëse vjen, duhet të jetë gjithëpërfshirëse, jo e thjeshtuar, siç e imagjinojnë disa”, ka thene Vuçiç. “Duam shtetin kufijtë e të cilit i dimë, shtetin e përcaktuar që e ruajmë dhe e mbrojmë. Kam folur shumë herë për këtë, kjo nuk është ndonjë gjë e re, e që dikush në mendjen e vet e sheh këtë si habi me imagjinatën e vet të prishur, këtë s’e kuptoj”, citon “Novosti” të ketë thënë Vuçiç.
“Se a do ta ketë përkrahjen e popullit kjo politikë, nuk e di por unë përpiqem për kufij me shqiptarët”, ka thënë Vuçiç. Ai ka shtuar se nuk dëshiron të flasë për detajet e bisedimeve rreth kësaj çështjeje.
“Unë nuk jam i papërgjegjshëm dhe nuk do të dal me “deklarata madhështore patriotike”. E njoh punën time dhe e bëj atë në interesin më të mirë të Serbisë dhe pa dyshim do të them atë që mendoj kur vjen puna afër një zgjidhjeje të prekshme”, tha Vuçiç.