Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan së shpejti do të takohen për të diskutuar marrëveshjen e sistemeve anti-ajrore S-400. Takimi vjen në kulmin e përplasjeve Turqi-SHBA dhe për t’ia ngritur edhe më shumë nervat Donald Trump ka menduar pala turke, duke zgjedhur që Putin dhe Erdogan të diskutojnë duke ngrënë peshk ose karavidhe, pasi do të takohen në një restorant të veçantë në Stamboll.
Ftesa ka ardhur nga Erdogan dhe i është dërguar Putinit nga Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu të premten.
Aty shkruhet: “Miku yt i dashur, z. Erdogan, ka kërkuar të dërgojë përshëndetjet dhe urimet e tij, duke shpresuar për vizitën tuaj në Stamboll në të ardhmen e afërt. Ju ftoj për të shkuar në një restorant peshkut”.
Por historia e ‘restorantit të peshkut’ nuk lindi spontanisht, por daton që në samitin e BRICS në korrik.
Në atë kohë Putini i kujtoi homologut të tij turk që dikur Erdogan e ftoi atë të hanin së bashku në një restorant peshku. Kur Erdogan theksoi se ftesa ende qëndron, presidenti rus theksoi se çështja me eksportet e mishit në Turqi duhet së pari të zgjidhet.
Dhe Erdogan nuk ia bëri dysh fjalën Putinit ashtu siç po ja bën aleatit amerikan Donald Trump. Në fund të korrikut Rusia filloi eksportet e mishit në Turqi dhe Presidenti turk i hapi rrugë takimit në restorantin e peshkut.
Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë po forcohen më shumë, gjë që në dukje e ka zemëruar aleatin e Ankarasë, SHBA. Lidhjet e Ankarasë dhe Uashingtonit janë në spirale në rënie ndërsa brirët përplasen më fortë pas vendimit të Turqisë për të blerë sisteme të raketave S-400 të Rusisë.
Qeveria e Erdoganit është gjithashtu e vendosur të shtyjë përpara me blerjen e avionëve amerikanë F-35, që ligjbërësit e SHBA po përpiqen ta bllokojnë, për shkak të marrëveshjes S-400 të Ankarasë.
Më parë këtë javë, eksportuesi i armëve rus “Rosoboronexport” zbuloi se Turqia do të marrë serinë e parë të sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 vitin e ardhshëm. Pas deklaratës, zyrtarja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert vuri në dukje se SHBA tashmë e kishte bërë “shumë të qartë se çfarë mund të shkaktonte sanksione për vende dhe entitete të tjera anembanë botës”, nëse ata shkojnë përpara me blerjen e sistemeve ruse.