Nga Alon Ben Meir & Arbana Xharra
Në prag të përvjetorit të njëzetë të përfundimit të luftës në Kosovë vendi po përballet me “largim të trurit” në shkallë dramatike. Çdo ditë profesionistë të rinj presin në radhë të gjata përpara ambasadave të BE-së për të aplikuar për viza pune për ta lënë ligjërisht Kosovën, në kërkim të mundësive për punë dhe ardhmëri më premtuese.
Ndërkohë që ikja masive e trurit është një problem me të cilin po përballen edhe disa shtete të Ballkanit dhe të Evropës, migrimi i Kosovës po bëhet gjithnjë e më i madh, veçanërisht për shkak të korrupsionit endemik midis elitës politike, po ashtu në sektorin e biznesit dhe shumë organizatave private dhe institucioneve qeveritare.
Emigracioni masiv i pothuajse 100.000 njerëzve që ndodhi vetëm në vitin 2013 është aq alarmant, saqë Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë problemin me mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së nëse Kosova planifikon të mbetet një vend i qëndrueshëm me një të ardhme të sigurt.
Sipas “Balkan Insight”, një raport i vitit 2016 nga Ministria e Brendshme gjermane, kosovarët në vitin 2015 paraqitën 37.095 kërkesa për azil, kurse bashkë me ata nga Shqipëria gjithsej u parashtruan 54.762 kërkesa. “Për dallim nga migrimet e mëparshme të shqiptarëve nga Kosova gjatë 50 vjetëve të fundit, kjo valë e re është ndryshe. Këta të rinj po largohen për të mos u kthyer kurrë më në vendin e sunduar nga elitat që vodhën të ardhmen e tyre”, thotë Ilir Deda, anëtar i Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe nënkryetar i Partisë Liberale Demokratike të qendrës “Alternativa”.
Sipas tij, ky trend do të vazhdojë derisa Kosova të marrë hapa vendimtarë politikë dhe praktikë, duke u dhënë fund dy dekadave të korrupsionit endemik të udhëheqësve të dhe të partive të tyre.
“Elitat politike të Kosovës janë të angazhuara në nepotizëm të pakontrolluar, duke keqpërdorur fondet publike dhe mosndëshkimi ndaj tyre ka krijuar situatë që ka ngjallur ndjenjën e dobësisë, mungesën e perspektives, duke e venë qytetarin në depresion”, thotë Lulzim Peci, ish-ambasador në Suedi dhe drejtor ekzekutiv i tanishëm i Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim të Politikave.
Ajo që është veçanërisht shqetësuese është se emigrantët e rinj janë kryesisht profesionistë që kanë humbur shpresën dhe akuzojnë qeverinë e tyre të korruptuar që ka treguar indiferencë të plotë ndaj nevojave të qytetarëve. Ata ndihen të bllokuar dhe largimi nga vendi duket se është i vetmi opsion i mundshëm.
Në Kosovë, ku papunësia ka arritur në 30%, politikanët janë klasa më e pasur në vend. Shumë biznese të mëdha janë zgjeruar falë mbështetjes së politikanëve, të cilët kanë marrë miliona në këmbim të “përpjekjeve të tyre”. Megjithëse BE-ja ka vendosur një mision policor dhe civil në Kosovë (EULEX) për të ndjekur penalisht korrupsionin, ajo ka dështuar kryesisht. Në fakt korrupsioni është përkeqësuar nën vëzhgim të këtij misioni.
Ambasadori aktual i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, në “Javën Kundër Korrupsionit” tha se zyrtarët qeveritarë vazhdojnë të pranojnë ryshfet, të ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë dhe të punësojnë të afërmit e tyre në institucionet publike.
Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u rikujtoi qytetarëve të Kosovës se korrupsioni po shkatërron mazhin e vendit të tyre. “Presioni” i SHBA-së dhe BE-së për të luftuar korrupsionin dhe trajtimin e sëmundjeve socio-politike dhe ekonomike në Kosovë ka dështuar. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të ndryshojnë tani qasjen e tyre, sepse interesi i tyre strategjik përputhet me dëshirën e fortë të Ballkanit dhe të Kosovës për t’u integruar në BE-në dhe NATO.
Nuk është i panjohur fakti që SHBA-ja ka ndërhyrë drejtpërdrejt në çështjet e brendshme të Kosovës, sepse SHBA-ja shihet si një mik i besueshëm i shqiptarëve. Në vitin 2011 Parlamenti i Kosovës zgjodhi presidenten e parë femër, Atifete Jahjaga, që u propozua nga SHBA-ja. Në vitin 2015, nën presionin e Shteteve të Bashkuara, Parlamenti i Kosovës miratoi një ligj për të krijuar Gjykatën Speciale. Dhjetorin e kaluar Kosova miratoi Ligjin për Krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duke sfiduar Serbinë dhe madje NATO-n, por me mbështetjen e plotë të SHBA-së.
Ka shumë hapa që SHBA-ja dhe BE-ja duhet të ndërmarrin për të ndihmuar Kosovën në rigjallërimin e sektorit të saj ekonomik, të inkurajojë përfshirjen sociale dhe të nxisë reformat politike që do të reduktojnë ndjeshëm numrin e të rinjve që largohen nga vendi. Ata mund ta ndihmojnë Kosovën të lërë prapa ngatërresat në të cilat ajo gjendet dhe të paraqesë një rrugë të re që Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të përqafojnë plotësisht, të cilat do ta çonin vendin në një të ardhme më të mirë dhe më premtuese.
Për të dërguar një sinjal të qartë te zyrtarët e korruptuar përfaqësuesit e SHBA-së duhet të takohen rregullisht vetëm me politikanë të besueshëm të pakorruptuar dhe të refuzojnë të angazhojnë zyrtarë të shtrembër në çdo mjedis social, ndërkohë që të mos u lëshojnë viza këtyre zyrtarëve politikë. Kjo do të dërgojë një mesazh të qartë për publikun se nuk kanë mbështetje ndërkombëtare ata politikanë të cilët po dëmtojnë mirëqenien e Kosovës.
Për të ushqyer një sistem juridik të pavarur SHBA-ja dhe BE-ja duhet të zgjerojnë programet e trajnimit për gjyqtarët, avokatët dhe prokurorët e rinj dhe t’i ekspozojnë ata në mënyrën sesi SHBA-ja dhe BE-ja merren me ndjekjen penale në trajtimin e korrupsionit dhe nxisin për legjislacionin antikorrupsion.
Përveç kësaj, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të ushtrojnë të gjithë presionin e nevojshëm ndaj Qeverisë për të reformuar sistemin arsimor, duke përfshirë trajnimin teknik për të ofruar mundësi të reja pune dhe për të përgatitur një brez të ri për të marrë pozita udhëheqëse.
Meqenëse Kosova dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian, BE-ja duhet te jetë në gjendje të kërkojë që Qeveria të fillojë një proces sistematik për pastrimin e akteve të tyre, duke iu përmbajtur plotësisht kërkesave të BE-së për t’u kualifikuar për anëtarësim dhe për t’iu përmbajtur plotësisht parimeve demokratike, të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe gjyqësorit të pashkelur.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë Kosovën për të zhvilluar mundësi tregtare duke krijuar një klimë më të mirë afariste për investimet e huaja, duke inkurajuar ndërveprimin e biznesit midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Një ekonomi e shëndetshme lejon që punëdhënësit të rrisin pagat – aktualisht më të ulëtat në rajon, të cilat munden, të paktën pjesërisht, të ndihmojnë në frenimin e emigracionit të të rinjve, sidomos të çifteve të reja që mezi arrijnë të mbijetojnë.
SHBA-ja duhet të insistojë që së paku 20 për qind e ndihmës së saj financiare në Kosovë të dedikohet për projekte pjesëmarrëse të zhvillimit të qëndrueshëm. Komunitetet mund të zgjedhin projektet e tyre ku të rinjtë do të përfshihen direkt, të zhvillojnë një ndjenjë të fortë të përkatësisë, të gjejnë kuptim në punën e tyre dhe të zhvillojnë një interes të dhënë në projektet e tyre, kështu edhe motivimin për të qëndruar në Kosovë.
Që këto iniciativa të funksionojnë mirë zyrtarët e lartë duhet të angazhohen për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të mbrojtur fjalën e lirë dhe mediet e lira, ndërkohë që të ndërmarrin reforma sociale dhe politike për të forcuar themelet demokratike të vendit.
Çdo zyrtar politik duhet ta mbajë në mend se Kosova ka dalë nga hiri i mijëra burrave, grave, djemve dhe vajzave që u masakruan nga ushtria serbe për të parandaluar ngritjen e një Kosove të pavarur dhe të lirë. Ata kanë një përgjegjësi morale dhe një detyrë të shenjtë për të vënë interesat kombëtare të vendit mbi të tyre dhe për të parandaluar ikjen e trurit, pasi e ardhmja e Kosovës mbështetet në vitalitetin e rinisë së saj, në të cilën çdo kosovar ka një rol.