Ai u largua nga jeta gjashtë muaj më parë, por ende sot asnjë sipërmarrje ndërtimi nuk pranon ta ketë pasur punonjës të tij. Të gjithë e mohojnë dhe ngrenë supet. Ai vd*iq në punë gjashtë muaj më parë, por ende sot nuk është e mundur të dihet për llogari të kujt punonte sepse të gjitha kompanitë e ndërtimit e mohojnë njohjen me të.
Zyber Curri ishte 48 vjeç, i martuar dhe me katër fëmijë. Ai kishte shkuar në Itali me gjithë familjen, kur Kosova e tij ishte shndërruar në një teatër lufte. Gjatë qëndrimit në Itali, Zyber jetoi në Edolo, në Valle Camonica, por profesioni i tij punëtor ndërtimi e bëri që ai të punonte pothuajse kudo në Lombardi.
Në mëngjesin e 12 dhjetorit të vitit 2018, ai punonte në një impiant hidroelektrike në Val Cavargna, krahinë e Como-s. Aty Zyber Curri transportonte tuba në zonën e Mondragos, kur ndoshta për shkak të akullit mund të ketë rrëshqitur disa metra poshtë duke përplasur disa herë kokën nëpër shkëmbinj.
“Kjo ndodhi rreth orës 11.30, por ne e mësuam vetëm pas orës 21.00” – kujton Mina, vajza e tij më e madhe. “Askush nuk erdhi tek ne, as të na informojë dhe as të kërkojë informacion të dobishëm për hetimin”- ka thënë ajo.
Por, ndërsa prokuroria në Como hapi dosje hetimore, pranë familjes Curri u paraqit dhe sindikata e ndërtimit. “Kemi hetuar në të gjithë rajonin për të rindërtuar historinë e Zyber Currit. Hetim për të cilin na kanë ndihmuar edhe vajzat e të ndjerit – thotë sekretari i Fillea Cgil Valcamonica-Sebino, Donato Bianchi. Nga mozaiku i hetimit disa mujore, del se në kohën e aksidentit punonjësi kosovar është punësuar nga Hera Srl me qendër në Gallaratë, komunë në Lombardi. Duket se, Zyber Curri i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës për punë të njeriut, që vepronte si menaxher i Edilnova Srl, i cili gjithashtu i kishte dhënë atij një veturë me të cilën ai transportonte kolegë të tjerë lart e poshtë dhe në fundjavë shkonte në shtëpi.
Më 13 nëntor, një muaj para se të vdiste, Zyber Curri kishte nënshkruar një kontratë të re me Hera, edhe pse pas disa muajsh nuk janë gjetur gjurmë të pagesave për të nga ana e shoqërisë. Nga ana e avokatit të sindikatës iu janë kërkuar sqarime të gjitha kompanive të përfshira si dhe personit përgjegjës për sigurinë e kantierit.
Energia Ambiente, komisionere e punimeve e konsideron veten “gabimisht” të vënë në pikëpyetje si përgjegjëse për aksidentin dhe iu tërheq vëmendjen familjareve dhe sindikatës, që të fokusohen për ngjarjen te Costruzioni Andreoli, pronar i kontratës për punimet në vendin e aksidentit.
Kompania përgjegjëse për sigurinë (me inxhinier Salvetti Graneroli) përsëriti, se kantjeri ka qenë në gjendje të mirë dhe deklaron se Hera, që është kompania e punësimit, e ka krejtesisht të panjohur emrin e të ndjerit.
Por atëherë, punonjës i kujt ishte Zyber Curri?
Do të jenë hetimet, që po kryen nga ana e prokurorisë së Comos që do t’i përgjigjet këtyre pyetjeve. Ndërkohë, sindikatat vazhdojnë kërkimet e tyre. “Është një rast skenari emblematik. Ndërtimi është një sektor i rëndësishëm për zhvillim, por që ka nevojë për ligjshmëri dhe rregulla që garantojnë sigurinë” – vëren Tiziana Scalco, sekretare rajonale e Fillea Cgil.
Në fakt, ndërtimi është një sektor i trishtuar, protagonist i rasteve të shumta të vdekjeve të bardha: midis janarit dhe majit në Lombardi, vetëm këtë vit numërohen pesë viktima, kurse viti 2018 u mbyll me një bilanc lufte, 13 muratorë të vdekur. I fundit ishte Zyber Curri.