Ballina Aktualitet Lajme ANËTARËSIMI NË NATO – MAKTH I RUSISË?! ZAEV NUK KA DËSHMI PËR...

ANËTARËSIMI NË NATO – MAKTH I RUSISË?! ZAEV NUK KA DËSHMI PËR NDIKIMIN RUS (VIDEO)

Sa më shumë që afrohet dita e referendumit, aq më shumë rriten dyshimet për përzierje të Rusisë në Maqedoni. Sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg, duke folur në Fondacionin “Heritixh” në Uashington tha se Rusia po përpiqet të pengojë referendumin në Maqedoni.

“Ne gjithashtu kemi parë shembuj se si Rusia përpiqet jo vetëm të parandalojë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që të bëhet anëtare e NATO-s por gjithashtu përpiqet të parandalojë Malin e Zi të anëtarësohet, ku kemi parë dhe përpjekjen e dështuar atje. Kemi parë se përdorin rrjetet sociale, dezinformimin në përpjekje për të ndikuar procese politike në shtete të ndryshme evropiane dhe anëtare të NATO-s”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.

Edhe sekretari amerikan i mbrojtjes Xhejm Matis, gjatë rrugës për në Shkup, u ka thënë gazetarëve se Moska financon grupe pro-ruse me qëllim dështimin e referendumit. “Ata transferuan para, e gjithashtu mbajnë edhe fushata për ndikim më të gjerë”, ka thënë Matis. Megjithatë, Kryeministri i vendit thotë se nuk ka fakte për ta vërtetuar këtë.

“Unë nuk kam dëshmi për ndonjë ndikim rus këtu. Federata ruse është mike e Maqedonisë dhe ajo nuk ka asgjë kundër integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian por hapur është kundër integrimit tonë në NATO dhe këtë e thonë shumë hapur. Publikisht thash edhe më herët dhe do ta përsëris se nëse ka çfarëdolloj dëshmie për punë të tillë, unë do t’i ndajë publikisht”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Për të gjitha këto dyshime kërkuam qëndrim zyrtar nga Ambasada e Rusisë në Shkup, por përgjigje nuk morëm. Janko Baçev hapur tregon se partia e tij është pro-ruse dhe se për qëllim kanë aleancën me Rusinë. Megjithatë mohon se merr para nga Rusia, ndonëse një gjë të tillë do ta donte.

“Financimi është i mirëseardhur, që të na vijnë para, megjithatë para legale siç parashihet me ligj. Ndërsa financimi nga qeveri të huaja, institucione të huaja është i ndaluar”, tha Janko Baçev, “MAQEDONIA E VETME”.

Për ndikimin rus ka folur edhe zëdhënësi i Pentagonit, Erik Pahon. “Rusia përpiqet t’i bindë maqedonasit se Perëndimi do t’i braktisë dhe se Rusia është për ndikim stabil në rajon”. Kjo nuk është e vërtetë, ka thënë Peon, duke shtuar se ndryshimi i emrit dhe hyrja e Maqedonisë në Aleancë do ta ulë ndikimin rus. Prestigjiozja Nju Jork Tajms gjithashtu përcjell se Peon ka deklaruar se “Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është një ndër makthet me të mëdha të Rusisë”.

Përgatiti: Besir Arifi