Ballina Aktualitet Lajme Tetovë, uji i pijshëm me aromë të pazakontë (VIDEO)

Tetovë, uji i pijshëm me aromë të pazakontë (VIDEO)

Uji për pije në Tetovë dy ditët e fundit mban aromë dhe shijë të pazakontë, gjë që ka alarmuar banorët e disa lagjeve sidomos Bllokut 70 dhe Dardanisë. Banorët shprehen të shqetësuar nga përhapja e infeksioneve dhe kërkojnë nga Ndërmarrja Publike sqarime për cilësinë e ujit.

“Është shumë shqetësuese, sidomos për fëmijët e vegjël nuk e dimë se çfarë baktere përmban uji – është problem kjo por nuk ka diçka tjetër në rregull këtu pa ka mbet uji.”

“Normal se është shqetësuese, uji është faktor kryesor për njeriun për bimët e për krejt. Kompetentët kush janë duhet të informojnë por megjithatë s’bëhet.”

Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se ndryshimi i aromës së ujit vjen nga kalbja e gjetheve por shtojnë se megjithatë uji është i pijshëm.

Që në orët e hershme patëm lajmërime nga qytetarët për aromën por edhe shijen e ujit për pije. Ekipi doli në terren morri shembuj për analizë. Nga analizat e para del se uji nuk ka asnjë ndryshim nga vlerat e zakonshme që janë. Në këtë periudhë kemi kalbjen e vegjetacionit dhe pas reshjeve të mëdha që ndodhën mbrëmë janë mbledhur nga lumi Shkumbin bio-produktet dhe edhe pse atje bëhet klorizimi i ujit, do duhet bërë edhe dy parametra të tjera për kondicionimin e aromës dhe shijes së ujit. Potencoj edhe një herë se nuk ka rrezik për shëndetin e banorëve”- tha Ratko Davidovski nga Instituti për Shëndet Publik.

Edhe nga Ndërmarrja Publike Komunale thanë se uji është i sigurt për pije dhe se nuk ka vend për panik, por nuk sqarojnë se, përse deri më tani nuk kanë bërë ozonimin e ujit me qëllim të reduktimit të shijes së keqe dhe aromës që ka uji dy ditët e fundit. Përndryshe, e njëjta gjë me aromën dhe shijen e ujit, ka ndodhur edhe shtatorin e vitit të shkuar, si pasojë e lëshimit para kohe të stacionit të filtrimit dhe thithjes së gjetheve në të.

Bashkim Sulejmani

@tn.lajmelokale
@tetovanews