Ballina Aktualitet Lajme DËGJOHEN BOMBAT PËR RASTIN “TITANIK”, MARRËVESHJE PËR VONIMIN E AEROPLANIT ME SHQIPTARË?...

DËGJOHEN BOMBAT PËR RASTIN “TITANIK”, MARRËVESHJE PËR VONIMIN E AEROPLANIT ME SHQIPTARË? (VIDEO)

Prej gjithsej 1.000 të të ashtuquajturve “bomba” për rastin “Titaniku”, deri më tani janë dëgjuar më shumë se gjysma prej tyre. Pjesa më e madhe e materialeve të përgjuara ishin nga periudha e marsit të vitit 2013, respektivisht për zgjedhjet lokale. Në disa prej tyre, dëgjohet si Mile Janakieski u telefonon qytetarëve për të dalë në votim. Përveç bisedave me kryetarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, Mile Janakieski komunikon edhe me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-ministrat Jankulloska, Todorov, Miloshoski, por edhe me Amdi Bajramin dhe Dragan Pavlloviqin-Llatas. Në bisedën e përgjuar me Jankulloskën, Janakieski thotë se në orën 4 dhe në 4:30 aterrojnë dy aeroplanë me shqiptarë nga Maqedonia, të cilat vijnë të votojnë në Kërçovë.

“A mundesh Mile të lajmërohesh të merresh vesh me “TAV” që t’i vonojnë disi udhëtarët nga Cyrihu? Dy avionë i kemi kritikë. Sot vijnë. Njërin ta ndalim, mirë do jemi. Thuaju disi t’i mbajnë në pistë 15 minuta, le t’i nxjerrin ngadalë udhëtarët, le ta ngadalësojnë lëvizjen në shkallë”, i thotë Jankulloska Mile Janakiesit”, Biseda Janakieski-Jankulloska.

Janakieski lajmërohet në “TAV” dhe e përcjell propozimin. Personi nga kompania e aeroportit i thotë “Më mirë është që kontrolli i fluturimit ta rrotullojë avionin më shumë kohë në qiell”.

Më pas, në bisedë tjetër me person nga MPB, Janakieski propozon:

“Të bëjmë një ndeshje përpara Kërçovës, të bllokohet rruga? Jam serioz për këtë. Ja për shembull le të rrotullohet një traktor”.

Jankulloska nga ana tjetër i propozon që të rrotullohet një kamion i ngarkuar me rërë.

TV21 kontaktoi me kompaninë e avio-transportit TAV Maqedonia, por nga atje na thanë se nuk duan të komentojnë lëndë gjyqësore të cilat janë në procedurë.

Janakieski i kishte telefonuar edhe shefit të tij, Nikolla Gruevski për t’i treguar se ka 100 “call center” prej të cilave gjatë gjithë kohës iu lajmërojnë qytetarëve për të votuar dhe duke i informuar se në Komunën Qendër do të ketë rreth të dytë të zgjedhjeve, ku dalja është plus minus 600 vota për LSDM-në.

“Po të mos na ishin këta banorët e Prespës, vallë a do ta kishim kryer punën? Shiko atje me të tanët të bëjnë edhe vota të pavlefshme, që pastaj të bëjmë procesverbale dhe të shkojmë në Gjykatë”, tha Nikolla Gruevski, Ish-Kryeministër i Maqedonisë.

Në këtë rast, të akuzuar janë edhe ish-kryetari i komunës së Pustecit, Edmond Temelko, i cili dyshohet se ka transportuar maqedonas të Shqipërisë që të votojnë në Shkup. Përveç tij, të akuzuar janë edhe ish-kryeministri Gruevski, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Boshkovska, Ilija Dimovski, dhe 14 të tjerë. Ata janë të dyshuar për shoqërim në krim, shkelje të së drejtës për të votuar, shkelje të lirisë së votuesve, për dhënie ryshfeti gjatë votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe keqpërdorim të fondeve për financimin e fushatës zgjedhore.

Përgatiti: Adnan Qaili