Nga Aleksandër Çipa
Analisti gjeodiplomatik, Ambasadori Shaban Murati, duke sjellë rishtazi librin e vet “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, zgjon dhe orienton shpresën për syçeltësi kombëtare dhe institucionale në fushën e diplomacisë shqiptare në tërësi. Eshtë pikërisht momenti dhe gjendja aktuale ku, siç e thotë Herbert Spenser: ”Po përvetësojmë pesimizmin si bindje”.
Libri i ri dhe vecanërisht tetë paraardhës të qarkulluar prej së njëjtit autor në harkun kohor të 15 viteve të fundit, përbëjnë një literaturë të mjaftueshme, ekspertisht të strukturuar për të fituar njohjen dhe dijenitë e plota për procesin mëvetësues dhe shtetformues të Kosovës. “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, është libri që në bibliografinë e diplomacisë shqiptare, në atë të publicistikës diplomatike dhe sidomos të analizës politike dhe diplomatike të zhvillimeve në hapësirën shqiptare dhe në relacionet ballkaniko-shqiptare, shton një provë atipike. Ky është një kontribut i autorit edhe në lëmin e gazetarisë së profilit dhe atë të analistit të profilizuar.
Ky libër është një mundësi qartësimi,(nëse bëhesh lexues i tij), për një histori të re shteti të ri, si Kosova. Eshtë kalvari real i shtetit të dytë të shqiptarëve. Këtë shtet që po ngrenë duke e pasur në shumë shpërngënj pengues si për arsye të ditura e të trashëguara, paradoksalisht edhe për shkaqe të njohura e që lidhen me vet’henë tonë shqiptare.
Zakonisht, pas një lufte çliruese ose pavarësimi, pretendohet të fitohet normaliteti, të nisë etapa e vështirë primare e shtetndërtimit, funksionalizimit dhe funksionimit institucional. Mirëpo, rasti i Kosovës mbetet fatkeqësisht, rast i një periudhe pa pasues e pa krahasime.
Herë, herë qasjet dhe fatkeqësisht edhe sjelljet politike dhe diplomatike të udhëheqësisë shqiptare në Kosovë, të lenë shijen e përfundimit të Kalevi Holstit në librin e tij referencial “Shteti, lufta dhe gjendja e luftës”, i cili kur flet për reagimet e ndërkombëtarëve ndaj shtetit të dobët, nënvizon: ” Shtetet e dobëta duhet të bëhen më të fortë dhe ata që janë në trajektoren e dështimit, duhet të kthehen prapa”. Nëse e pranojmë kritikën për dështimet tona, pra shqiptare në Kosovë, atëhere për ç’farë kthim prapa mund të flasim?! Të kthehemi ku?!?
Leximet e artikujve-kapituj-analitikë të librit të Ambasadorit Murati, të japin mundësinë të mos kesh dilemë. Autori sugjeron të kthehen prapa, pra vendimmarrësit dhe të mandatuarit si qeverisës në demokracinë foshnjore të Kosovës! Të rikthehen aty, ku qëllimi ishte i qartë dhe bindja e plotë, për një Kosovë të vetme në pavarësi. Të mbesin tek vizioni që shërbeu si themeli e historisë që shqiptarët kurorëzuan në vitin 1999. Natyrisht, aty ku ia dolëm falë mburojës fatmadhe të aleancës euroatlantike dhe sidomos asaj amerikane.(!)
Analizat e zotit Murati, për aspekte, sjellje,inefiçenca dhe diletantizma diplomatike shqiptare, janë në reminishencë fisnike me këshillimin e dikurshëm të ilirologut të famshëm arbëresh Stipçeviç, i cili vuante shpërfilljen vrastare shqiptare për njohjen e kohëve të tyre.:” Shekujt janë të shkurtër sa dita, po nuk i njohëm, e ditët të gjata sa amëshimi, kur mund t’i prekim dhe t’i shohim”.
Duke iu referuar ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së munguar kombëtare në diplomacitë respektive të Shqipërisë dhe Kosovës, nga kuota dhe cilësia e një profesionisti sharmant, analisti Murati sfidon hapur dhe kurajshëm qëndrimet infantile, demaskon bisedime e qëndrime të dyshimta anti-interesit kombëtar, heshtje dhe inkorrektesa të kompromentuara shtetërore dhe diplomatike etj.. Sikundër, evidenton dhe denoncon me kritikë të plotë mungesa, inkopetenca dëmsjellëse antikombëtare. Analisti skanon dhe nxjerr në dijeni të publikut marrëveshje dhe kulisa që plagosin apo minojnë interesin shtetëror dhe kombëtar në administratat diplomatike të Kosovës së re si shtet dhe të Shqipërisë së vjetër si shpërdoruese dhe varfanjake.
Receta që lëshon në cilësi të ambasadorit me karrierë, të autorit me zë dhe aparat të plotë, të analistit kurajoz e në valencë të lakmueshme, është ajo që diagnostifikon dhe kuron: ”Diplomacia është distancë nga emocioni personal, partiak dhe mediatik. Emocioni i vetëm, që i lejohet diplomacisë, është emocioni i shtetit dhe i kombit”.
Në librin e vet Ambasadori Murati logjikshëm dhe këmbëngulshëm ngre çështje të paritetit diplomatik në sjelljen dhe kuadrin e përfaqësimit shqiptar, si nga Kosova edhe nga Shqipëria, në forumet dhe institucionet e së drejtës dhe pranë organizimave ndërkombëtare. Ashtu sikundërse konstaton me të drejtë analisti gjeopolitik dhe vëzhguesi përditësues Francis Fukuyama në librin “Ndërtimi i shtetit”: ”Qeverisja e dobët e kompromenton parimin e sovranitetit….E bën këtë sepse problemet që krijojnë shtetet e dobëta për veten e tyre dhe për të tjerët rrisin konsiderueshëm mundësinë që dikush tjetër në sistemin ndërkombëtar të ndërhyjë në çështjet e të brendshme, në kundërshtim me dëshirat e tyre…” Në të njëjtën rrjedhë logjike analisti Murati interpreton kazusin e veriut të Kosovës, apo të infiltrimit të diabolisë ruse në Mitrovicë, të cilin autori e përcakton si “gur gjeopolitik rus”.
Dhe sikundër Fukuyama konkludon se : “… arti i ndërtimit të shtetit do jetë një komponent kryesor i pushtetit kombëtar”, ambasadori Murati faktologjikisht i drejtohet administratës së shtetit të Kosovës me apelin kombëtarist: ”E dashur Prishtinë, harrimi i prioriteteve çon në humbje”.
Në librin e analistit Murati denoncohen me logjikë dhe kokëfortësi arsyetimi, mëkate antikombëtare, qëndrime dëmsjellëse, mungesa koordinimesh dhe paaftësi e sjellje të korruptuara diplomatike, institucionale dhe përfaqësimesh në rrjedhat e kohës së “kalvarit diplomatik të Kosovës”. Eshtë një qasje nga pozita e eskpertit të angazhuar mbi betimin vetanak të ndërgjegjes kombëtare, europianiste dhe sidomos mbi principin e pakushtëzuar të shtetdashjes si shqiptar, pamvarësisht se e ka emrin Kosovë, Preshevë, Shqipëri apo hise tjetër at-mëmë-dhe-sie.
Autori Shaban Murati monitoron dhe analizon në laboratorin e vet autorial dhe studimor, zhvillimet, konjukturat, sfidat dhe befasitë, lojërat dhe qëndrimet shqiptare dhe antishqiptare në diplomaci dhe gjeopolitikë, mbi devizën e panegociueshme të atdhedashurisë genetike dhe intelektuale. Në emër dhe respektim të kësaj devize, Shaban Murati nuk e bjer dhe as e cënon qoftë edhe një grimë, kalibrin e të cilësishmit dhe profesionistit të ftohtë. Dhe ia del në kohën, kur vlerat e kalibrit dhe të cilësishmërisë, janë të padukshme në gjendjen e sotme të kaosit dhe shpërfilljes kolektive dhe fatkeqësisht, edhe institucionale.(!)