Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka inauguruar të hënën Aeroportin e ri të Stambollit, i cili pas përfundimit të plotë në vitin 2028 pritet të jetë aeroporti më i madh në botë.
Mbi 50 zyrtarë të lartë nga të paktën 18 shtete, kryesisht Europa juglindore, Azia dhe Afrika, morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Në mesin e liderëve të shumtë ishin edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic.
Nuk dihet ende nëse ka pasur takime mes liderëve, por nga video e transmetuar drejtpërsëdrejti nga ceremonia e inaugurimit shihet që autoritetet turke janë kujdesur që Thaçin dhe Vuçiçin t’i ulin jo afër njëri-tjetrit. Ndërkohë që Meta, Thaçi dhe Ivanov qëndrojnë bashkë në të majtë të Erdogan, Vuçiç ishte ulur në të djathtë.
Agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency, tha se hapja e fazës së parë të aeroportit u organizua me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës në Turqi. Faza e parë e aeroportit do të ketë kapacitet për 90 milionë pasagjerë në vit, tha Erdoğan, duke shtuar se “kjo shifër do të rritet në 150 milionë, nëse nevojitet edhe në 200 milionë, pas përfundimit të të gjitha fazave” deri në vitin 2028.
Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76,5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.
Faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023, ndërsa e treta dhe e fundit në vitin 2028. “Pas përfundimit të punëve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do të shërbejë rreth 200 milionë pasagjerë. Deri në vitin 2025, aeroporti pritet të mundësojë 225 mijë vende të reja pune. Pas përfundimit të zhvendosjeve të duhura deri në fund të vitit, pritet që në aeroport në ditë të aterojnë dhe ngriten 2.000 avionë, nga më shumë se 350 destinacione, ndërsa shërbimet e tyre do t’i ofrojnë 250 kompani ajrore”, tha AA.