Prof. Dr Jeton SHASIVARI
Në projekt tekstin e Amendamentit XXXIV për Kushtetutën e RM-së i hartuar dhe propozuar Parlamentit të RM-së nga Qeveria e RM-së, thuhet: “Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fjalët “vendimet e KAÇPM-së” zëvendësohen me fjalët “Proklamata nga mbledhja e parë e KAÇPM-së deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇPM-së”, pas fjalës “vitit” shtohen fjalët “edhe të marrëveshjes kornizë të Ohrit”, ndërsa fshihen fjalët: “vendosën të”.
Në arsyetimin e Qeverisë, mes tjerash, theksohet se, qëllimi i këtij revizioni kushtetues konsiston në implementimin e Marrëveshjes me Greqinë me çka do duhej të mundësohej hyrja e vendit në BE dhe NATO. Prandaj, për të harmonizuar tekstin e Preambulës me Marrëveshjen me Greqinë, në Preambulë kryhen disa ndryshime, me atë që, me rastin e theksimit të traditave shtetërore-juridike, emërtohen dokumentet konkrete të KAÇPM-së, përkatësisht futet Proklamata nga mbledhja e parë e KAÇPM-së deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇPM-së dhe poashtu, në Preambulë përmendet edhe marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila tashmë është ngulitur me amendamentet kushtetuese të v. 2001.
Analiza dhe debati parlamentar dhe publik për këtë projekt Amendament kushtetues, do duhej të fokusohet në pikat kyçe, si vijon:
-Cila është rëndësia e Proklamatës nga mbledhja e parë e KAÇPM-së (Kuvendi Antifashist i Çlirimit Popullor të Maqedonisë) deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇPM-së në raport me shqiptarët si dhe me qytetarët e tjerë. Përndryshe në vendimet e KAÇPM-së, si bie fjala, për shembull, në Manifestin nga Mbledhja e Parë e KAÇPM-së deri te populli maqedonas (2 gusht 1944), shqiptarët vetëm dyherë përmenden edhe atë si “fashistë”, pra, si pjesë e togfjalëshit: “fashistët shqiptaromëdhenj-големоалбанските фашисти” dhe “fashistët shqiptarë-албанските фашисти” dhe, poashtu vetëm njëherë përmenden si: “vëllezër arnautë-браќа арнаути”!
Ndërsa, në Proklamatën nga mbledhja e parë e KAÇPM-së deri te populli maqedonas për mbledhjen e mbajtur të KAÇPM-së (që si dokument konkret i KAÇPM-së propozohet të futet në Preambulën e re kushtetuese), në asnjë vend nuk përmenden shqiptarët e as qytetarët e tjerë, por dominojnë shprehjet: “shteti maqedonas”, “populli maqedonas”, “gjuha popullore maqedonase si gjuhë zyrtare”, “patriotët dhe patriotet maqedonase”, etj.
Pra, lidhur me këtë Proklamatë të KAÇPM-së, përfaqësuesit shqiptarë në Parlament do vendosin midis heqjes nga Preambula të përmendjes së shqiptarëve si: “fashistë shqiptaromëdhenj”, “fashistë shqiptarë”, “vëllezër arnautë” dhe futjes në Preambulë të një dokumenti konkret të traditës shtetërore-juridike që në asnjë vend nuk i përmend shqiptarët dhe ku dominojnë shprehjet: “shteti maqedonas”, “populli maqedonas”, “gjuha popullore maqedonase si gjuhë zyrtare”, “patriotët dhe patriotet maqedonase”?!
-Nëse me këtë projekt Amendament kushtetues, përmes të përmendurit të marrëveshjes kornizë të Ohrit në Preambulë si traditë shtetërore-juridike, do konsiderohej se, në Kushtetutë futet edhe preambula në variantin origjinal të kësaj marrëveshjeje (Aneksi A), e cila theksonte identitetin qytetar në vend të atij etnik, atëherë a do të thotë kjo se, preambula e re nuk do kufizohet vetëm me komunitetet që përmenden aty, por do të përfshijë edhe komunitetet që nuk përmenden aty, si bie fjala: bullgarët, grekët, kroatët, etj.;
– Nëse me këtë projekt Amendament kushtetues, do konsiderohej se, në Kushtetutë futet edhe preambula në variantin origjinal të marrëveshjes kornizë të Ohrit (Aneksi A), atëherë a do të thotë kjo se, edhe vendimet e KAÇPM-së (të perceptuara nga Greqia si vendime irredentiste që promovojnë agresionin për shkak të thirrjes: “Maqedonas nën Greqi dhe Bullgari, bashkohuni”), në të ardhmen do vazhdojnë të mbeten si traditë shtetërore-juridike meqenëse si të tillë në mënyrë eksplicite theksohen në variantin origjinal të marrëveshjes kornizë të Ohrit (Aneksi A); dhe,
-Në çmasë preambula aktuale kushtetuese, në tërësi do t´i nënshtrohej një procesi të rishikimit serioz kritik, sidomos në aspektin e sendërtimit të funksionit koheziv të saj, meqenëse ajo e mbithekson karakterin etnik të shtetit, duke u nisur nga fakti se, njëri komunitet etnik në veçanti shquhet si etnos (komb), gjë që e forcon bindjen se, pjesëtarët e komuniteteve të tjera etnike janë qytetarë të rendit të dytë.
Pra, sa i fuqishëm do të ishte funksioni koheziv i preambulës së re kushtetuese, dhe a do e ketë ajo potencialin e duhur që të shërbejë si një “material lidhëz” për të unifikuar qytetarët e RM-së apo do vazhdohet edhe në të ardhmen me ndarjen e qytetarëve të RM-së, në popull Maqedonas (termi Maqedonas i shkruar me germë të madhe) si dhe në qytetarë që jetojnë brenda kufijve të shtetit, të cilët janë pjesë e popullit shqiptarë, popullit turk, popullit serb, popullit vlleh, popullit romë, popullit boshnjak dhe të tjerët, ku edhe pse preambula aktuale i vendosë qytetarët si element konstitutiv të shtetit, megjithatë, popullin Maqedonas e përkufizon si etnos (komb), ndërkaq, shqiptarët si pakicë nacionale gjë që paraqet një diskriminim të hapur etnik të qytetarëve që juridikisht i përkasin këtij shteti.
Autori është Profesor i Asociuar
i së drejtës kushtetuese dhe administrative
në Fakultetin juridik-UEJL-Tetovë