Ballina Bota Analiza Gazetari masakër, apo masakër e gazetarisë?

Gazetari masakër, apo masakër e gazetarisë?

Leksion profesionalizmi nga “the press project.gr” (media elektronike e pavarur, e një grupi gazetarësh investigativë në Greqi), përgatitur për botim nga gazeta “TemA”

Përktheu Ira Londo

Një vdekje e dhunshme është një fakt i trishtë, ke apo jo të njëjtat pikëpamje politike me viktimën.

Kjo është subjektive. Por ka disa gjëra që nuk janë subjektive, me të cilat, pavarësisht nga pikëpamjet tona, ne do duhet të binim dakort unanimisht. Në rastin e të riut, i cili ra i vdekur nga plumbat e policisë shqiptare, elementi i rëndësishëm është një: Kallashnikov.

Një rast akoma, mes të shumtëve të kohës së fundit (?) që media greke trajton një çështje të ndjeshmërisë së lartë për lexuesin me cektësi shurdhuese ose indiferencë mizore ndaj fakteve dhe impaktit që kanë.

***

Plotësisht të koordinuara mediat sistematike- e bëjmë të qartë, nuk ndodhi vetëm nga masakruesit e zakonshëm të gazetarisë, por thuajse nga të gjithë – ngjarja fillimisht u pasqyrua duke heshtur për ekzistencën e armës Kallashnikov.

“Reportazhët” e parë shkruanin për “një homogjen të vdekur që ngriti flamurin grek” dhe duhet të lexoje paragrafin e tretë apo të katërt të tekstit të mësoje se kishte dhe një armë të tillë historia.

Të njëjtët lexues që pyesnin përse të mos vritej Zak (Zak Kostopulos, i komunitetit LGBT u vra në qendër të Athinës pak ditë më parë) nga momenti që kishte thikë në dorë dhe “përderisa hyrë në pronë të huaj, mori rrezikun parasysh”, në këtë rast kërkojnë që policia të priste “derisa t’i mbaronin plumbat”.

Derisa u publikua video që fakton se Kacifas kishte armë dhe qëllonte, çfarëdo të thuhej jo-zyrtarisht, nuk kishte asnjë përgënjeshtrim të informacionit se bëhej fjalë për një individ të armatosur me kallashnikov, të rrezikshëm, që qarkullonte rrugëve duke qëlluar.

Nëse do të ndodhte i njëjti incident, por me aktorë të ndryshëm (p.sh. Turk në Thrakë, Shqiptar në Greqi, madje dhe Grek në Greqi) të njëjtët persona do referoheshin si “terroristë”.

Lidhja e Kaçifa me organizatën MAVI rikthen në kujtesë se veprimtaria e organizatës në të kaluarën synonte të shkaktonte episode me vendin fqinj (Shqipërinë). Problemi është se qëllimet e organizatave si MAVI përkrahen, ose të paktën promovohen, jo vetëm nga ekstremistët e djathtë, por në përgjithësi nga mbarë gazetaria sistematike dhe opozita në vend.

Ndërsa ky diskutim bën bujë në internet, akoma më i zi është fakti që opozita nuk kursehet në deklarata. Fillimisht, shefi i sektorit të jashtëm të “Demokracia e Re”, Jorgos Kumucakos, deklaron se Kaçifa “pagoi me jetën e tij shprehjen e ndjeshmërisë patriotike”!

Incidenti paraqitet duke u referuar në një njeri që ngriti flamurin, duke harruar se a) të shtënat nuk kanë lidhje me flamurin, si deklaroi policia greke dhe b) vdekja e tij ka lidhje me faktin që ishte i armatosur, jo me pikëpamjet apo akoma dhe me aktivitetin e tij.

Shefi i sektorit të Mbrojtjes të të njëjtës parti, Vasilis Kikilas, riprodhoi dhe përforcoi në Twitter lajmin e rremë “Një jetë greke ka humbur nga plumbat e policisë shqiptare, sepse ngriti flamurin grek në varrezat e Dëshmorëve të Eposit Shqiptar në Bularat”.

Jetojmë në epokën kur heshtja për çështjet ekonomike ofron terren të hapur të dominojë në dialogun publik çdo histeri nacionaliste. Gjithë kanalet televizive dhe shumica e medias të fuqishme nuk kishte asnjë problem të flisnin paraprakisht për një “hajdut me thikë” në rastin e Zak Kostopulos, të nxitojnë të flasin për pakistanezë që mbajnë “peng” dhe torturojnë polic grek në Nikea, e në rastin konkret të flasin për një homogjen grek të ekzekutuar sepse ngriti flamurin grek. Gafa kolosale njëra pas tjetrës!

Mbetet i trishtë fakti që humbi një jetë njeriu, por ka shumë mundësi të humbasi jetën dikush kur qëllon policët me kallashnikov. Këtu fillon biseda se si veproi policia shqiptare dhe nëse vërtet toleroi derisa duhej dhe mundej, para se t’a vriste. Në këtë pjesë të historisë, nga njëra anë janë fotot me dëmet nga të shtënat me armë zjarri në makinat policore, nga ana tjetër mosbesimi i justifikuar ndaj “praktikave ndërkombëtare” që ndjekin policët në gjithë botën, sidomos kundër minoriteteve.

Por ky diskutim supozon se, përballë propagandës nacionaliste, duhet të nxjerrim gënjeshtrat nga ekuacioni (“e vranë për flamurin”) dhe të insistojmë në elementet jashtë çdo dyshimi. Për çdo gjë tjetër, duhet përmbajtje dhe mendim kritik, sidomos kur përndjekja dhe shkëmbimi i zjarrit është zhvilluar në mal, në zonë ku vështirë të ketë dëshmitarë okularë. Deri më tani, informacionet që trajtohen në nivel qendror dhe referohen në kushtet e ekzekutimit, bazohen, në rastin më të mirë, në dëshmi indirekte ose të dhëna ndoshta ekzistuese (p.sh. gjaku që dëshmon se gjeti miku i viktimës), por, me spekulime të pakonfirmuara, edhe pse ndoshta të mundshme, për çfarë vërtetojnë (“e tërhoqën zvarrë të plagosur”).

Për hir të kultivimit të miteve etnike për disa mund të jetë dhe legjitime të heroizohet ky akt, të paraqitet si i denjë për imitim. Një politikan, ish-këshilltar i ish-kryeministrit, që kërkon bombardimin e Shqipërisë, natyrisht që synon në rritjen e nacionalizmit. E vetmja gjë që bën, duke e ditur se shyqyr zotit nuk do e bombardojmë Shqipërinë vetëm se e tha ai, është të përgatisi 35 vjeçarin tjetër që do mendojë se është ide e mirë të qëllojë me armë kundër policisë shqiptare, në emër të atdheut. Ose, për të mos shkuar shumë larg, të sulmojë me molotof një zyrë turistike shqiptare. Nuk do dëgjohet asnjë thirrje kundër të tilla pasojave, sepse askush nuk ndalon dot ndjenjat pro lufte me antidotë të tilla argumente.

Fashistët kërkojnë shanse të hedhin helmin e tyre dhe media greke bëhet përsëri përkrahëse. Përgjegjësia që kanë është jashtëzakonisht e madhe. Normalizimi i argumenteve dhe retorikës të së djathtës ekstremiste është degradim politik dhe gazetarest, kjo evidenton sëmundje të rrezikshme.

Madje, shumë media nuk kufizohen vetëm në mbulimin kriminal gazetaresk të çështjes, por vijojnë dhe më tej, duke ushqyer akoma më tepër nacionalizmin. Lajmet për një parullë vërtet provokuese të tifozave nacionalistë në ndeshjen e Partizanit Tiranë, apo publikimin neveritës të gazetarit shqiptar, e paraqesin nën mburojën e “provokojnë Shqiptarët”.

Nacionalizmat gjithmonë ushqejnë njëri-tjetrin, por Media zgjedh përsëri të vëjë re vetëm ata përballë. Për secilin “përballë”, kemi një “tonin”. Imagjinoni, për shembull, sikur media shqiptare të paraqiste deklaratat Kranidiotis, Rahil Makri, Konstandinos Bogdanos, duke thënë se “provokojnë Grekët”.

Kur jo të gjithë, por mijra grekë referoheshin në shtetasit e FYROM si “jevgj të Shkupit” në protestat për Maqedoninë, të njëjtat media dhe parti flisnin për “demostrata madhështore”. T’a lëmë këtu, mos shkojmë më pas në thirrjet “grek nuk do bëhesh kurrë…”.

Bëhet fjalë për respektin minimal në komunikimin tonë me realitetin, kur i vdekuri ka qëlluar kundër policisë, ose, akoma dhe nëse jemi skeptikë, qëllonte të paktën në ajër, këtë informacion të mos e tkurrim në thellësi të paragrafit të fundit të tekstit apo reportazhit me titull “E vranë për flamurin”.

Ky është respekt minimal për deontologjinë gazetareske dhe dialogun gjakftohtë, të transmetojmë lajmin në dimensionet reale. Të përcaktojmë saktë elementet, të dhënat dhe pyetjet, të theksojmë rëndësinë e sa njohim dhe të jemi kritikë para sa nuk njohim, me përmbajtjen karakteristike të posaçme, sipas detajeve të veçanta të çdo ngjarjeje. Kjo është përgjegjësia jonë, njëkohësisht edhe respekt elementar ndaj qytetarit, ndaj lexuesit.

Çdo gjë tjetër na rrëzon në gazetarinë e Masakrës, domethënë në masakrimin e gazetarisë.(thepressproject.gr)