Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se prej pak ditësh Arkivat Shqiptare kanë plotësuar kriteret dhe janë bërë pjesë e organizmit më vital të Bashkimit Evropian në fushën e arkivave,” Portalit të Arkivave Evropiane”.
Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave përveç rezultatit konkret ndaj studiuesve dhe rritjen e mundësive për shkëmbimin e materialit arkivor kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat evropiane.
DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane, një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian ku janë të përfshira të gjithë arkivat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe CEFTA-s.
Vendimi i marrë më 9 nëntor për pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota, e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Evropiane.
Ky pranim është për ne si shqiptarë një tregues i njohjes së përpjekjeve të vazhdueshme të viteve të fundit për modernizimin e arkivave dhe rritjen e përdorjes së teknologjisë si forma e së ardhmes në shërbimin arkivor.
Po ashtu, përbën një mundësi të veçantë të shkëmbimit mbarë evropian të materialeve arkivore në shërbim të historisë kombëtare dhe historisë evropiane.