Ish-kryeministri Nikolla Gruevski është personi i katërt me radhë i cili i ikë drejtësisë nga rastet e Prokurorisë Speciale që dalin nga bisedat e përgjuara ilegalisht. Dy personat e parë që shpëtuan përmes arratisjes janë Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, të akuzuarit kryesor për përgjimin masiv dhe shkatërrimin e aparaturës në MPB, me të cilën është kryer përgjimi illegal me vite të tëra. Ata dy ndodhen në Greqi pasi gjykata atje ka gjykuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ekstradimin e tyre dhe se mund t’ju hakmerren nëse sillen në Maqedoni.
I akuzuari i tretë që shpëtoi pa bërë asnjë ditë në paraburgim ishte Sead Koçan. Por, ai u rikthye në vend pasi Gjykata supreme e shfuqizoi vendimin për paraburgimin e tij. Mediat në vend kanë kontaktuar gjatë ditës me Prokurorinë Speciale Publike për të pyetur nëse pas këtyre rasteve dhe në veçanti pas arratisjes së Gruevskit, prokurorja Katica Janeva do të kërkojë paraburgim për funksionarët e tjerë që akuzohen nga kjo prokurori.
Por, nga ky institucion janë përgjigjur se fillimisht do të pritet konfirmim zyrtar për vendndodhjen e Gruevskit dhe më pas opinioni do të njoftohet për çdo vendim që do të merret në të ardhmen. Pasi nga institucionet do të konfirmohet zyrtarisht lajmi se Gruevski ka kërkuar azil në Hungari, atëherë për çdo vendim që do ta sjellë prokurorja speciale Katica Janeva, opinioni do të njoftohet në kohë, janë përgjigjur nga PSP. Kujtojmë se nga përbërjet e kaluara qeveritare, në proces gjyqsorë si të paditur janë edhe ish funksionarë të tjerë shtetëror e partiak si ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish sekretari e Qeverisë, Kiril Bozhinovski dhe ish shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer. Arben Zeqiri
https://youtu.be/OFTIHfZDnRk