Në Shkup janë shtuar reagimet pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Kryeministri Zoran Zaev i hedh poshtë vlerësimet dhe zërat për një pazar të mundëshëm midis pushtetit dhe Gruevskit, që të përfiroheshin votat e ligjvënësve opozitarë për ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, kërkohet llogari nga autoritetet dhe organet e sigurisë për lëshimin e bërë. Maqedonia ka shpallur fletë-arrest ndërkombëtar dhe po përgatitë dokumentet për ekstradimin e ish-kryeministrit, i cili ndodhet në Hungari.
Arratisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ka nxitur mjaft reagime në Shkup, ndërsa duket se ka shqetësuar popullatën e Maqedonisë e cila shpresonte në vizionin e një shteti ligjor ku do të dënohehin krimet nga kushdoqoftë që bëhen.
Si u arratis Gruevski, kush e ndihmoi atë, nga cili kufi kaloi, janë pyetje me të cilat duhet të merren organet e rendit dhe të hetuesisë.
Kryeministri Zaev i hedh poshtë akuzat për pazare politike me Gruevskin ndërsa shprehet i bindur se një ditë ai do të kthehet nga Hungaria për ta vuajtur dënimin ose për t’u ballfaqur me organet e drejtësisë.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në opozitë e quan arratisjen një montim politik klasik që ka për qëllim largimin nga përgjegjësia të njerzve të cilët sot duhej të ishin në burg. Ai vëren ngjashmërinë e arrastisjes edhe të të akuzuarve të tjerë për vepra të ngjashme penale.
Zoti Sela kërkon hetime të pavarura, në mënyrë që të gjithë aktorët që kanë ndihmuar dhe realizuar arratisjen e Gruevskit të marrin dënimin e merituar. Ai vlerëson se arratisja nuk ka mund të ndodhë pa përfshirjen e aktorëve politikë, si në vend po ashtu edhe në fqinjësi. Sela kërkon dorëheqjen e kryeministrit Zaev dhe krijimin e një qeverie ekspertësh, ndërsa bashkë me zgjedhjet presidenciale në pranverën që vjen të organizohen edhe zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.
Bashkimi Demokratik për Integrim si pjesë e koalicionit qeveritar që është, e dënon aktin e arratisjes së ish-kryeministrit Gruevski. Deputeti Artan Grubi thotë se rasti duhet të hetohet dhe të ketë përgjegjësi, ndërsa aludon se struktura të sigurisë janë të përfshira në nxjerrjen jashta vendit të zotit Gruevski.
Por BDI-ja tash për tash nuk lë të kuptohet nëse do të ngrejë një nismë për llogaridhënie politike nga aktorët e përfshirë në arratisjen e Gruevskit.
Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zaev vazhdon të mbajë qëndrimin se faji është tek gjykata ,e cila nuk i caktoi paraburgimin Nikolla Gruevskit duke ditur rrezikun se ai mund të arratisej. Ndërkaq, partia amë e Gruevskit, VMRO-DPMNE-ja fajin ia hedh pushtetit për përndjekjen politike të eksponentit të saj.
Një pjesë e medias në Shkup spekulon se ish-Kryeministri Gruevski natën e parë në Budapest ka qëndruar në hotel; mëpastaj është vendosur në një vilë të kryeministrit Viktor Orban. Por kabineti i zotit Orban e ka përgënjeshtruar këtë pohim.
Ndërkaq, shtypi në Shkup disa muaj më parë kishte alarmuar mundësinë e arratisjes së Gruevskit pikërisht në Hungari.
Akti i Nikolla Gruevskit ka bërë që të shtrëngohen masat këtu në Shkup dhe njërit prej ish-ministrave të tij të akuzuar për vepra penale, Mile Janakievskit t’i caktohet masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Në paraburgim do të qëndrojë edhe Kiril Bozhinovski, ish-sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Nikolla Gruevskit.
Zoti Gruevski duhej të vuajë dy vjet burg për shkak të ushtrimit të ndikimit për përfitimin e një dhurate të jashtligjshme përmes një tenderi po të jashtligjshëm për blerjen e një Mercedesi luksoz prej rreth 600 mijë eurosh nga buxheti i ministrisë së rendit. Megjithatë, Prokuroria e Posaçme e akuzon atë për vepra të tjera penale edhe në katër raste të tjera paralele.