Para gati tre muajve, vrasja e një gjermani në Chemnitz do të shkaktonte një valë protestash kundër të huajve. Tani, kancelarja ishte aty për herë parë, për një vizitë që shumë e quajnë të vonuar.
Përse keni ardhur?
Kancelares gjermane Angela Merkel nuk i lanë shumë kohë të zinte vend në aktivitetin dyorësh të organizuar nga një gazetë lokale (Freie Presse), të premten në Chemnitz. Kur kishte hyrë në sallën e ish-fabrikës së rinovuar, nga 120 pjesëmarrësit, disa e kishin pritur me duartrokitje, të tjerë të ulur me duart të mbledhura.
Që para se të mbërrinte në Chemnitz, kancelarja kishte qenë në shënjestër të kritikave që e quanin tepër të vonuar vizitën e saj. Tre muaj më parë, qyteti ishte përfshirë nga valët e dhunës, demonstratave ekstremiste të djathta dhe kundër-demontrata kundër të djathtëve. Ngjarje që do ta bënin Chemnitzin të famshëm në mbarë botën.
“Tani të shohim se ç ‘mund të bëjmë në nivel federal që qytetit të mos i mbetet përgjithmonë nami i keq,” tha ajo. Duke mbrojtur vendimin e vet për të mos e vizituar qytetin ish-gjermanolindor menjëherë pas ngjarjeve të dhunshme të gushtit, Merkel tha se donte të shmangte polarizimin e mëtejshëm për shkak të pranisë së saj.
Zemërimi në rrugë
Gusht 2018: Vrasja me thikë e një gjermani 35-vjeçar, me gjasë nga dy azilkërkues, u bë shkak për demonstrata që shpejt u përshkallëzuan në trazira. Ndër protestuesit ishin ekstremistë të krahut të djathtë. Në regjistrimet e videove shiheshin protestues duke sulmuar njerëz që dukeshin si të huaj për nga pamja. Që nga gushti janë sulmuar një restorant hebre, një persian dhe një turk, si edhe është zbuluar një grup i djathtë ekstremist që e quan veten “Revolucioni Chemnitz”.
“Ka njerëz që shqetësohen se ndoshta këtu ka shumë refugjatë”, tha kancelarja Merkel. “Ka edhe njerëz që kanë paragjykime të hapura ndaj njerëzve që thjesht duken ndryshe. Mes këtyre dy llojeve duhen bërë dallime”. Me qindra qytetarë të Chemnitzit e kanë refuzuar dhunën dhe janë aktivizuar në iniciativa kundër dhunës. “Kjo është një shenjë e mirë,” tha Merkel. “Këta njerëz duhet të dëgjojnë zërin e tyre – sepse janë shumica,” shtoi ajo
Trashëgimia e Gjermanisë Lindore
Duke u mbështetur në përvojën e saj në rritje në RDGJ-në e mëparshme, Merkel u bëri thirrje ish-gjermano lindorëve që të jenë më të sigurt. “Ju keni çdo arsye të jeni krenarë për atë që keni bërë”, tha Merkel, duke iu referuar revolucionit paqësor të vitit 1989 që pati si pasojë rënien e Perdes së Hekurt.
Por shumë gjermano-lindorë e ndiejnë tani veten të lënë pas dore. “Unë kam qenë një nga humbëset e ribashkimit”, tha njëra nga pjesëmarrëset e aktivitetit për DW. “Shumë nga diskutimet e kësaj mbrëmjeje kanë të bëjnë me migracionin. Dhimbjet dhe ndjenja e të lënit pas dore ka ekzistuar shumë kohë para 2015-ës.” “Por kjo ende nuk është arsye për të marshuar së bashku me këta demonstrues të djathtë”, shtoi ajo.
Protesta jashtë
Jashtë fabrikës ishin mbledhur afro 500 demonstrues të organizuar nga grupi djathtist “Pro Chemnitz”. Rrethuar nga një prani e madhe policore, kënga e tyre “Merkel muss weg!” (Merkel ik!) kondensohej në ajrin dimëror dhe nuk arrinte deri te veshët e kancelares, që ishte brenda.
Por ajo e dëgjon atë vazhdimisht, sidomos prej vitit 2015, kur mori vendimin për t’u hapur dyert rreth 1 milionë azilkërkuesve. Njoftimi i saj në fillim të nëntorit se nuk do të kandidonte më përsëri për kancelare në zgjedhjet e 2021-shit, nuk u mjafton kritikëve më të zëshëm të saj. Ata duan që Merkel të japë menjëherë dorëheqjen..
Ndërkohë, gjatë diskutimit, një anëtar i audiencës që iu dha mikrofoni për një pyetje, shfrytëzoi momentin që ishte në qendër të vëmendjes, për t’u bërë thirrje të tjerëve të bashkoheshin me demonstruesit jashtë. Kancelarja priti me qetësi sa të mbaronte, duke rregulluar bllokun e shënimeve dhe stilolapsin që kishte përpara në podium, ku ishte vetëm.
‘Ne do t’ia dalim’
Migracioni e mbizotëroi gjithë debatin. Merkel e pranoi se ishin bërë gabime në politikat e refugjatëve në Gjermani. Por gabimi nuk është ndihma për azilkërkuesit në një moment të caktuar, tha ajo. Por që ishte bërë shumë pak për të shmangur shkaqet që i bëjnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre,
Merkel u pyet edhe njëherë për fjalinë e saj të famshme në kulmin e krizës së migrantëve 2015: “Wir schaffen das” (Do t’ia dalim). “E çfarë kancelare do të isha nëse nuk do ta thosha këtë?” ia ktheu Merkel pyetëses.
“Das Schaffen (puna),” vazhdoi ajo më tej, “ende nuk ka përfunduar”./Deutsche Welle