Kriza më e fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, që po përqendrohet mbi një përpjekje për të mos njohur sovranitetin rus mbi gadishullin e Kerch, pjesë e Krimesë, ka sjellë në vëmendje sjelljen e Perëndimit. SHBA dhe aleatët e vet e kanë dënuar sulmin rus, ndërkohë që vetë Moska ka sqaruar versionin e saj duke cilësuar lëvizjen e anijeve ukrainase në zonë, si provokim.
Rusia konsideron se Krimea dhe ura që lidh atë me hinterlandin rus në Azov është çështje e mbyllur qyshkur se gadishulli u mor nga Vladimir Putin me ato që në Perëndim quhen manovra të luftës hibride.
Ukraina është një vend që pavarësisht madhësisë dhe historisë së vet shumë të ndërlidhur me Europën nuk po imponohet si vatër strategjike e panegociueshme për Perëndimin. Lëvizjet e saj të fundit synojnë të katalizojnë një politikë antiruse e cila nuk po gjen shumë përkrahje. Jo vetëm kaq, por nga SHBA, nga kampi republikan ka prirje dhe thirrje që përkrahja ndaj këtij vendi të racionalizohet.
Në një opinion në “National Interest”, ish-ndihmësi special i presidentit Ronald Reagan, Doug Bandow, shkruan se Ukraina madje nuk duhet të pranohet si anëtar i NATO-s dhe se SHBA nuk duhet të zgjerojë aleancën me anëtarë që përbëjnë ekspozim sigurie.
Duke përmendur faktin se kriza e tanishme i shërben presidentit Petro Poroshenko që është në prag të zgjedhjeve, autori në fjalë, që aktualisht punon për Cato Institute thekson se lufta në shkallë të gjerë mes Ukrainës dhe Rusisë nuk përjashtohet.
“Një luftë e plotë është e mundshme. Të dyja palët kanë shtuar forcat ushtarake në rajon…Deri më tani kriza është kontrolluar. Poroshenko kërkoi mbështetje përmes tuiterit: “Ne i bëjmë thirrje vendeve partnere që nën detyrimet e Memorandumit të Budapestit, vendeve të BE-së, pjesëmarrësve të formatit të Normandisë që të koordinojnë masa efektive për të mbrojtur Ukrainën.
Ne bëjmë thirrje të gjithë koalicionit pro-ukrainas: Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”. Kjo është në fakt një listë që përfshin SHBA-në, Britaninë, pjesën më të madhe të Europës, Francën dhe Gjermaninë. Megjithatë nëse ka një gjë të qartë është se kontinenti nuk do bëjë asgjë…
Amerika është i vetmi vend në atë listë që ka rëndësi…nga e cila pritet qëtë bëjë punën kryesore në çdo luftë që do të përfshinte Moskën. Britania dhe Franca do ndihmonin, Polonia do kontribuonte. Çdokush tjetër do të ofronte këshilla…
Kjo na kujton sesa me fat jemi, apo të bekuar, që presidenti Bush dështoi në përpjekjen e tij për t’ia shtuar NATO-s edhe Kievin. Përndryshe SHBA do të duhej të ndihmonte Kievin në bazë të nenit 5…” shkruan Bandow.
Ky është një qëndrim që nuk duhet parë si personal. Presidenti amerikan Donald Trump doli hapur kundër NATO-s, duke bërë thirrje dhe imponuar më shumë fonde nga vendet anëtare. Edhe autori thekson se “NATO i mbijetoi padobisë së saj”, por shton se SHBA duhet të mos angazhohet në luftëra ku askush nuk do bëjë asgjë, por të negociojë fundit e luftës së re të Ftohtë që ka nisur me Moskën. Sipas tij në rastin e Ukrainës Perëndimi duhet të njohë përgjegjësinë e vet, qoftë edhe për faktin se sponsorizoi atë që ai e quan një puç rruge.
Problemi në fjalë prek patjetër edhe një vend si Gjeorgjia që është ekspozuar ndaj çekicit rus që ka bërë të qartë se kufijtë e NATO-s nuk do të duhet të shtyhen më tej në Lindje, duke e kthyer de facto Detin e Zi një det kufitar. Kjo qasje realiste dhe verbalisht e re, thotë dy gjëra: së pari se SHBA nuk po tërhiqet nga roli i vet drejtues në botë, por po kërkon ta ripërcaktojë atë përmes interesave të vetat. Në të cilat mund të inbarkohen ata që janë në gjendje të mbajnë përgjegjësitë që pasojnë.
Së dyti, se NATO-ja në fakt ka pushuar së qeni një aleancë efektive në formatin e tanishëm, për sa kohë që mes anëtarëve të saj kryesorë ka dallime strategjike. SHBA mundet fare mirë që e vetme dhe me aleatët e vet kryesorë të çojë përpra edhe me forcë interesat e veta, ndërkohë që pjesa europiane sot po diskuton për nevojën e një ushtrie europiane. Një ushtri e cila konceptohet me synime mbrojtëse dhe me dy objektiva parësorë: frenimi i Rusisë dhe bllokimi i Mesdheut nga fluksi i emigrantëve. Frika e Europës ka përcaktuar strategjinë e saj dhe ky është problem.
Bandow thotë se një luftë në Azov nuk përbën interes për SHBA dhe thuajse të njëjtin vlerësim përdori edhe presidenti Trump muaj më parë kur u shpreh se a do ia vlente që SHBA të shkonte në luftë për shqiptarët?
Sot që flasim, SHBA po çedon apo po lëshon Ukrainën e cila herët apo vonë do të kërkojë marrëveshje me Rusinë, njësoj sikundër kaosi diplomatik në Ballkan po i hap rrugë objektivitetit të idesë së korrigjimit të kufijve. Ky proces dezintegrimi në Perëndim ka gjetur shurdhë në Ballkan, apo Ukrainë, vende që deri më tani kanë ecur me kredi “pa interes” për sovranitetin e tyre.
Duke folur për integrime në struktura që janë në krizë dhe në rastin e NATO-s që kanë humbur edhe qëllimin për të cilin u krijuan. Koha për riformulimin e Politikës së Jashtme po afron dhe domosdoshmëria e partneritetit dypalësh është aktualizuar qysh tani. Sigurisht që për këtë nuk kanë faj vendet pa aftësi sovraniteti si vendet ballkanike apo Ukraina, por vonesa historike kërkon patjetër çmimin e vet. Edhe kësaj radhe me faturë jo të vogël. Veç në mos dëshmofshim ndonjë mrekulli.(Respublica)