Mogherini e ka lënë diplomacinë dhe po i kërkon hapur Kosovës të tërhiqet nga taksa. Por edhe të tjerë po kërkojnë nga Kosova heqjen e tarifës doganore 100% kundër mallrave nga Serbia. Së fundmi, përfaqësuesja e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme Mogherini ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Kosovës për situatën e krijuar pas këtij vendimi të qeverisë.
“Përfaqësuesja e lartë ka nënvizuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ngritur tarifat e doganës për produktet nga Bosnje e Hercegovina dhe Serbia vetëm sa ka komplikuar situatën dhe nuk ka sjellë zgjidhje të problemeve për popullatën në Kosovë apo për aspiratat e Kosovës për të tashmen dhe të ardhmen. Kjo është një masë që nuk ndërton marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duhet të hiqet” thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Mogherinit.
Dje ishte Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein që u shpreh kundër tarifës 100% që ka vendosur Kosova ndaj produkteve serbe. Rritja e taksës doganore me 100 për qind ndaj produkteve serbe u miratua më 21 nëntor në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, vendim i cili ka ngjallur reagime të shumta.