Sezoni i ri në Kodrën e Diellit edhe këtë vit do të nis me problemet e vjetra. Pa teleferikun me gjashtë ulëse, pa infrastrukturë të rregulluar, pa vende parkimi dhe me mbeturina të pa pastruara që të presin në hyrje të saj. Këtë situatë nuk e ndryshoi as protesta e para një muaji e pronarëve të objekteve hotelierike. Pronarët thonë se premtime ka edhe sivjet, por punë konkrete ende asgjë. Ata madje organizohen privatisht që të mënjanojnë problemet e shumta që ka kjo qendër turistike.
Ne jemi në prag të fillimit të sezonit, punë nuk ka diçka të bëme. Ne tani jemi organizuar dhe mundohemi që disa probleme që i kemi pasur vjet apo para dy vitesh t`i mënjanojmë duke marrë vet nismë”. – tha Ashim Asani, pronar
Kanalizimi është problemi më i madh. Gjitha fekalet përfundojnë poshtë, sidomos gjatë verës është tepër keq. Kemi kërkuar takim në komunë, por deri më tani nuk na është mundësuar. Aty është problemi po ashtu edhe me kontejnerët e mbeturinave në hyrje. Ka pak përmirësim kohëve të fundit por s`është e rregullt”. – theksoi Zharko Nedelkovski, pronar
Nga Elem Turs, është premtuar se teleferiku me dy ulëse që u prish vit më parë do të rregullohet po ashtu edhe biletat elektronike pritet të jenë gati para fillimit sezonit, ndërsa për teleferikun panoramik me gjashtë ulëse, edhe sivjet nuk ka garanci se do futet në funksion.
Ka shpresa thonë se me 20 dhjetor do vinë italianet për ta bërë, por, siç shihet po pati borë, nuk besoj se këtë sezon do e kemi, ose të paktën na premtoi drejtori nëse arin, në fund të janarit, ta lëshojnë gjashtë ulësen”. – u shpreh Ashim Asani, pronar
Nuk e di edhe vet t`iu them të drejtën, se sa do bëhet realizimi i këtyre punëve. Deri tani kemi pasur premtime por premtime të kota”. – theksoi Xhabir Lika, pronar
Nga ana tjetër, nga nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, përmes një letre me shkrim thonë se, nëse nuk mbahet premtimi për rregullimin e teleferikut, do kërkohet përgjegjësi nga drejtorët aktual, ndërsa do ketë edhe protesta.