Ballina Bota Turqia “afrohet” me Amerikën Latine (VIDEO+FOTO)

Turqia “afrohet” me Amerikën Latine (VIDEO+FOTO)

“Do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona bilaterale dhe shumëpalëshe me vendet në Amerikën Latine dhe Karaibe të cilat kanë një vend të rëndësishëm në politikën tonë”, tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona bilaterale dhe shumëpalëshe me vendet në Amerikën Latine dhe Karaibe”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan ka mbajtur një konferencë për media në aeroportin Esenboğa të Ankarasë pas kthimit nga Samiti G20 në Argjentinë dhe vizitave të tij në Paraguaj dhe Venezuelë.

Ai tha se në samit kanë gjetur mundësinë të diskutojnë çështje të ndryshme, ku gjatë kësaj kanë përsëritur rëndësinë në luftën kundër terrorimzit. “Kemi nënvizuar se kjo luftë duhet të zhvillohet në solidarizim dhe sinqeritet kundër të gjitha formave të terrorizmit pa dallime”, tha Erdoğan.

Sipas tij, gjatë samitit një tjetër çështje ku janë shkëmbyer idetë ka qenë edhe emigracioni i paligjshëm. “Si një vend i rrugës më të madhe të migrimit në botë dhe si një vend shembull që është strehuesi më i madh i refugjatëve, ne kemi trajtuar këto çështje. Në këtë kontekst, ne gjithashtu kemi prekur punimet që kemi bërë dhe të cilat vlerësohen nga e gjithë bota. Po ashtu jemi përqendruar në çështjen e përgjegjësisë ndërkombëtare dhe ndarjes së barrës, duke përmendur domosdoshmërinë për të bërë përpjekjet në këtë fushë me një qasje si e tërë. Ndër të tjera klima, energjia, ekonomia dixhitale, bujqësia, arsimi, punësimi, barazia gjinore ishin ndër çështjet që diskutuam gjatë samitit”, tha Erdoğan.


Ai theksoi se pas samitit G20 ka zhvilluar takime në Paraguaj dhe Venezuelë gjatë datave 2-3 dhjetor. Presidenti turk tha se këto vizita janë të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe, për solidaritetin në të ardhmen, si për vëllimin e tregtisë dypalëshe dhe në këndvështrimin politik.

Në fjalën e tij Erdoğan ka njoftuar se në vizitat e realizuara është takuar me presidentin e Paraguajit, Mario Abdo Benitez dhe presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se për të zhvilluar marrëdhëniet tona aktuale dhe bashkëpunimin tonë ne kemi nënshkruar 9 dokumente. Në mesin e këtyre është edhe deklarata e përbashkët që nënshkruam së bashku me presidentin Maduro, për ngritjen e marrëdhënieve në nivelin më të lartë si dhe për hapat që duhet të bëhen në këtë aspekt”, tha Erdoğan duke shtuar se kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit konkret.

Erdoğan u shpreh se me bisedimet e zhvilluara do të shohin më qartë efektet pozitive të marrëdhënieve me Paraguajin dhe Venezuelën. “Edhe në periudhat në vazhdim do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona bilaterale dhe shumëpalëshe me vendet në Amerikën Latine dhe Karaibe të cilat kanë një vend të rëndësishëm në politikën tonë”, tha ai.