Dimri ka ardhur dhe qymyri po digjet, duke e mbështjellë Ballkanin me një smog toksik, e duke i shndërruar qytetet e tij në më të ndoturat në planet.
Ndërsa qindra vende janë mbledhur në Poloni për një samit mbi klimën, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara këtë javë, banorët në këtë qoshe të Europës po pyesin nëse qeveritë e tyre do të bëjnë diçka për të trajtuar këtë plagë të përvitshme, që po merr me mijëra jetë.
Nivelet e ndotjes kanë arritur nivele alarmuese që në fillim të dhjetorit. Agjencia e lajmeve “AFP” është ndalur në Ballkan, ku kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi është renditur i treti mes qyteteve më të ndotura në botë, ndërsa Sarajeva e pesta.
Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, që varet tek impiantet me qymyr për më shumë se 95 për qind të nevojave energjetike, nuk qëndron larg tyre.
“Në 3 dekada që jap mësim nuk kam parë asnjëherë kaq shumë fëmijë të ftohur dhe të sëmurë”, thotë Vesna Delevska, një mësuese 56-vjeçare në Shkup.
Impiantet energjetike me linjit në të gjithë rajonin, shumë prej të cilëve janë të vjetër dhe shumë ndotës, plus djegien e qymyrit për ngrohje në shtëpi, e mbushin ajrin me toksina.
Në Shkup dhe Sarajevë, një varg malesh bëjnë që ajri i rrezikshëm të bllokohet mbi luginat ku jetojnë njerëz, duke i mbështjellë ato me smog gri.
Një raport i Kombeve të Bashkuara në tetor nënvizonte se emetimet e karburanteve të ngurta duhet të përgjysmohen në 12 vitet e ardhshme, për të kufizuar rritjen e temperaturave globale.
Por qeveritë në Ballkan, – shkruan “AFP”, – po ecin në drejtim të kundërt me tendencat europiane, duke shtuar investimet në qymyr, me plane për të ndërtuar impiante të reja në rajon. Efektet shihen qartë. Pesë qytete ballkanike me industritë e bazuara në qymyr apo linjit, janë mes 10 qyteteve më të ndotur të Europës. Mes tyre Tuzla në Bosnje; Pljevlja në Mal të Zi; Shkupi, Tetova dhe Manastiri në Maqedoni.
Të vetmit që përfitojnë nga kjo ndotje janë shitësit e pastruesve të ajrit, që duket se në Maqedoni zhduken nga raftet në dyqane sa hap e mbyll sytë. Një pastrues ajri kushton rreth 400 euro, afërsisht paga mesatare mujore në Maqedoni dhe vendet fqinje. Por banorët po gërmojnë në kursimet e tyre, madje edhe marrin borxh për t’i blerë ato.
Kostoja ekonomike dhe njerëzore është e lartë, në një rajon të varfër, me pak parà në dispozicion për të shpenzuar. Sipas OBSH-së, ndotja i kushtonte vendeve të Ballkanit Perëndimor më shumë se 55 miliardë dollarë në vitin 2010. Ajo po ashtu ka shkaktuar më shumë se 36 mijë vdekje të parakohshme në të gjithë rajonin, ku jetojnë 23 milionë banorë.