Tërheqja e qeverisë Macron nga taksa për rritjen e karburantit dhe disa projektligje të tjera që rëndonin buxhetin e qytetarëve duket se nuk ka shërbyer për të rikthyer “paqen” në Francë, me “Jelekët e Verdhë” që kanë deklaruar se këtë fundjavë do të zhvillohet protesta më e ashpër në vend. Kjo e shtunë do të shënonte javën e 4-të protestave masive dhe të dhunshme në Francë, me Pallatin Elysee që ka shprehur shqetësimin se këtë javë do të tentohet nga protestuesit një përpjekje për një “Grusht Shteti”.
Mediat franceze raportojnë se në rrjet po shpërndahen me shpejtësi thirrje nga “Jelekët e Verdhë” për të sulmuar parlamentarët dhe forcat e policisë në protestën e fundjavës. Edhe pse qeveria franceze braktisi rritjen e taksave të karburantit pas protestave gjithëpërfshirëse, lëvizja ende u bën thirrje përfaqësuesve të saj që të mblidhen më 8 dhjetor.
“Akti IV” do të mbahet nën moton “qëndrojmë në rrugën tonë” dhe tashmë numëron 6,000 njerëz që dëshirojnë të marrin pjesë dhe 22,000 të tjerë që janë “të interesuar”. Të enjten Eric Drouet, një prej liderëve më të famshëm të lëvizjes, njoftoi se planet e “Jelekëve të Verdhë” janë që ata t’i afrohen rezidencës së Emmanuel Macron.
“E shtuna do të jetë rezultati përfundimtar, e shtuna është në Elysee, të gjithë dëshirojmë të shkojmë në Elysee”, tha ai.
“Shërbimet e inteligjencës kanë raportuar në Pallatin Elysee, rezidencën zyrtare të presidentit, se ka pasur thirrje për ta vrarë atë dhe do të merren armë për të sulmuar parlamentarët, zyrtarët e qeverisë dhe oficerët e policisë”, raporton prestigjiozja ‘Le Figaro’.
“Ata janë puçistë. Ka një përpjekje për grusht shteti”, pohoi një burim i medias.
Ministritë gjithashtu janë udhëzuar që të ndalojnë stafin dhe ministrat të punojnë këtë fundjavë.
“Forcat e sigurisë u informuan gjithashtu se demonstratat e së shtunës mund të shoqërohen nga dhuna e pashembullt e shkaktuar nga grupe të radikalizuara … të ekstremit. Do të jetë ekstrem dhe ekstrem dhe ekstrem”, shtoi Le Figaro.
Protestat e “Jelekëve të Verdhë” nisën si tubime me thirrje në media sociale kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe reformave jopopullore të Macron dhe ato kanë evoluar në një nga sfidat më të rrezikshme të kombit në dekadat e fundit.
Protestat e 1 dhjetorit u kthye në dhunë në mbarë vendin dhe pa mbi 130 njerëz të plagosur dhe më shumë se 400 të arrestuar. Katër vetë, duke përfshirë një grua të moshuar, kanë vdekur deri tani mes përplasjeve të ashpra midis protestuesve dhe oficerëve.
Qeveria franceze duhej të pranonte kërkesat e protestuesve dhe të braktiste planin e rritjes së taksës së karburantit – të paktën për buxhetin e vitit 2019. Megjithatë, kryeministri francez Edouard Philippe, nuk sqaroi nëse Parisi mund ta rifillonte rritjen në një azhurnim të buxhetit më vonë në 2019.
Problemi i vërtetë qëndron në qeverinë që ka humbur kontaktin me popullin e saj, protestuesit e “Jelekëve të Verdhë”, thonë mediat franceze.
Sipas Jean Bricmont, një shkrimtar dhe komentator politik francez, protestat e zjarrta kanë të bëjnë më shumë me politikën qeveritare “të paaftë” nga BE-ja sesa çmimin e naftës.
“Revolta nuk është vetëm për çmimet e gazit, është një revoltë e përgjithshme kundër politikës së qeverisë”, tha ai për RT.