Kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar Brukselin se duhet të marrë më seriozisht aspiratat e kosovarëve për të shmangur paqëndrueshmërinë e mëtejshme në Ballkan.
Gjithashtu, në një intervistë të dhënë për mediumin prestigjioz Financial Times, përcjell Telegrafi, Ramush Haradinaj ka akuzuar Serbinë se po vepron në interesin e Rusisë për të destabilizuar rajonin.Në intervistën me FT, Ramush Haradinaj gjithashtu ka fajësuar Serbinë, për një ofensivë diplomatike për të minuar shtetësinë e vendit të tij.
“Ne besojmë se Evropa na ka dhënë një shans, një hartë për t’u bërë anëtare të BE-së dhe ne jemi
mirënjohës për këtë”, ka thënë Haradinaj.
Por ai mendon se krerët e BE-së nuk i janë përgjigjur në mënyrë adekuate ankesave të Prishtinës për Beogradin.
Haradinaj ka thënë se ndërsa BE kishte investuar fonde dhe personel për të normalizuar Kosovën dhe rajonin, “të gjitha veprimet e Serbisë janë kundër interesave të BE-së për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe në interes të Rusisë për të mbajtur situatën kaotike në rajon”.
Sipas FT, komentet e kryeministrit të Kosovës, vijnë në një kohë të rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kjo pasi që, sipas FT, përcjell Telegrafi, Parlamenti i Kosovës, do të votojë më 14 dhjetor për të krijuar një ushtri të rregullt të Kosovës dhe pasiguria vazhdon për një marrëveshje potenciale për të inxhinieruar një ndarje të Kosovës që do t’i jepte pjesë nga territori i saj Serbisë.
Gjithashtu, shkruhet tutje, muajin e kaluar, Kosova aplikoi një tarifë prej 100 për qind për mallrat nga Serbia në hakmarrje për refuzimin e Beogradit për të miratuar anëtarësimin e saj në Interpol.
E Haradinaj ka përsëritur se tarifa do të hiqet vetëm nëse Kosova fiton njohjen e plotë të pavarësisë së saj nga Serbia.
“Nuk e kemi bërë këtë për shkak të arrogancës, nuk kemi pasur asnjë zgjedhje tjetër”, ka thënë ai.
“Ne rezistuam marrjen e kësaj mase për një kohë të gjatë, por nuk kishte rrugëdalje tjetër. Tarifa do të hiqet me normalizim të plotë, dhe normalizim i plotë do të thotë njohje”, ka shtuar kryeministri.
Sipas FT, më shumë se 110 vende tani e njohin Kosovën, por Serbia, Rusia, Kina dhe pesë anëtarë të BE-së nuk e bëjnë këtë.
Dhe gjithashtu, në negociatat me Kosovën, Beogradi ka insistuar që asnjë marrëveshje potenciale nuk do të përfshijë njohjen e shtetësisë.
Madje Haradinaj thotë se Serbia ishte lejuar të bënte një fushatë armiqësore kundër Kosovës dhe po dëmtonte shanset e fqinjit të saj për t’u bashkuar me BE-në ndërsa vazhdonte procesin e vet të pranimit.
Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së, ka bërë thirrje që Prishtina të revokojë tarifën “menjëherë”, duke thënë se ajo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, në të cilën të gjithë aspirantët e BE në Ballkanin Perëndimor janë pjesëmarrës.
Ndërsa Johannes Hahn, komisioneri i zgjerimit të BE-së, udhëtoi këtë muaj në Beograd dhe Prishtinë për të ndërmjetësuar një kompromis mbi çështjen e tarifave.
“Ne jemi ankuar [në Komisionin Evropian] gjatë gjithë këtyre viteve për Serbinë që nuk respekton CEFTA-n, duke mos respektuar marrëveshjet e Brukselit, duke mos respektuar premtimet e tjera të dhëna në tryezë, por ata nuk ishin aq të përqendruar te ne”, tha Haradinaj duke iu referuar marrëveshjeve të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit që nga viti 2011 për çështjet e mbetura të pazgjidhura pas luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
FT rikujton faktin se NATO bombardoi Serbinë për 11 javë për të dëbuar forcat serbe pas një operacioni masiv të spastrimit etnik në popullatën shumicë shqiptare.
Ndërsa sa i përket tarifës së vendosur për produktet serbe, FT shkruan se ky veprim ka rritur popullaritetin e kryeministrit dhe i ka dhënë Haradinajt një qëndrim më të favorshëm në një mosmarrëveshje me presidentin e vendit Hashim Thaçi, lidhur me një marrëveshje potenciale me Beogradin, e cila mund të përfshijë që Kosova të cedojë disa nga territoret e saj në Serbi në shkëmbim për njëfarë shkalle të njohjes dhe anëtarësimit në OKB.
Në këtë drejtim, thuhet se Haradinaj tha se ideja e ndryshimeve kufitare apo shkëmbimet e territorit ishte një “rrezik për rajonin tonë”.
Plani është miratuar nga z. Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe një numër udhëheqësish evropianë.
Ndryshe, plani është mbështetur nga Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe një numër i liderëve evropianë.
Lidhur me këtë Haradinaj ka thënë: “Nuk ka kuptim që ne të angazhohemi në këtë marrëveshje në këmbim të Serbisë për të njohur atë që është një fakt – se Kosova ekziston. Ne jemi të njohur nga gjysma e anëtarëve të OKB-së”.
Në fund FT shkruan se shumë vëzhgues dyshojnë se një marrëveshje është e arritshme duke pasur parasysh rritjen e tensioneve.
Në këtë drejtim është cituar kryeministrja serbe, Ana Brnabiç e cila ka thënë se nëse Kosova formon një ushtri, një përgjigje ushtarake është “aktualisht një nga opsionet në tryezë”. Shumica dërrmuese e kosovarëve mbështesin idenë e bashkimit me BE.
Financiar Times nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se kosovarët ende nuk kanë liberalizimin e vizave.
Kështu, siç shkruan tutje ky medium, shumica e kosovarëve mbështesin idenë e bashkimit me BE-në.
Megjithatë, siç thuhet në shkrim, zhgënjimi për faktin se kosovarët nuk mund të udhëtojnë në vendet e Shengenit pa viza ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi të thellë.
“Kosovarët shpresuan që BE të miratojë udhëtimin pa viza para se Rumania të marrë presidencën e BE në janar. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Hahn tha se ishte ‘realiste’ që liberalizimi i vizave mund të fillonte në vitin 2020”, përfundon shkrimin Financial Times.