Kirurgu i njohur shqiptar, Ilir Hasani, ka një lajm të mirë për pacientët nga Maqedonia që vuajnë nga probleme kurrizore. Ai në bashkëpunim me kirurgun e famshëm turk, Ufuk Aydinli, kanë realizuar për herë të parë në Shkup një intervenim kirurgjikal të cilin pacientet nga Maqedonia deri tani është dashur ta kryejnë në Turqi ose në ndonjë vend tjetër jashtë Maqedonisë. Bëhet fjalë për korrigjim të deformiteteve të shkallës shumë të lartë dhe ligide, thotë në deklaratën për Lajm.Tv mjeku Hasani.
Edhe profesori nga Turqia, shprehet i kënaqur me realizimin e këtij hapi revolucionar për mjekësinë në Maqedoni. Ai premton se do të jetë i gatshëm të ndihmojë klinikën e kirurgjisë në Shkup dhe pacientët në Maqedoni, sa herë që ta kërkojë nevoja.
“Kësaj radhe kemi realizuar intervenim në disa raste shume të rënda të deformiteteve të shtyllës së kurrizit, të cilat ne i quajmë skoliozë dhe kifozë. Këto deformitete zakonisht paraqiten te pacientët adoleshentë. Gjithashtu realizuam intervenim edhe në një rast shumë interesant të tumorit të pelvikut. Kam ardhur këtu dy vitet e fundit, dhe çdo herë që vij, vërej disa zhvillime, disa përmirësime në kontekst të sallës së operacionit, përgatitjes së pacientit dhe gjithashtu teknikave kirurgjikale që kolegët e mi i bëjnë këtu. Gjendja përmirësohet dhe bëhet çdo ditë më e mirë.
Kemi lidhje shumë të fortë këtu në shtetet ballkanike, sidomos mes Turqisë dhe Maqedonisë. Në çdo kohë që me thërrasin, nuk hezitoj aspak të vij për ti ndihmuar. Kjo është, si të them, i ndihmoj pacientëve të mi në Turqi dhe nuk ka dallim edhe për pacientët e Maqedonisë. Kurdo që të më thërrasin, unë vij”, deklaroi kirurgu nga Turqia, Ajdinli.
Nga ana tjetër, Hasani paralajmëron se në bashkëpunim me profesorin Ajdinli, klinika në Shkup do të aplikojë së shpejti edhe teknika tjera të avancuara, që deri tani nuk janë aplikuar në Maqedoni. Qëllimi është që të përfitojnë pacientët, thekson ai.
“Vizitat e profesorit janë shumë të mirëseardhura, së pari në aspektin e mësimit të teknikave të reja të operacioneve të kurrizit. Përveç kësaj, kemi edhe një motivim që edhe ne të mundohemi t’i arrijmë ato pika që i ka arritur profesori.
Erdhëm së bashku nga Zagrebi, që t’i performojmë këto intervenime të cilat janë vërtetë shumë të rënda, të cilat realisht nuk do të ishin realizuar në Maqedoni pa ndihmën e profesorit. Realisht për këto trajtime duhej të shkohej në Turqi, prandaj ardhja e tij është një ndihmë të cilën nuk ua jep vetëm pacientëve, por edhe neve si profesionistë”, theksoi doktor Ilir Hasani.