Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Associated Press, i ka kushtuar një artikull formimit të Ushtrisë së Kosovës si dhe reagimeve të zyrtarëve serbë.
Sipas AP, Kosova pritet që të premten Forcën e Sigurisë të Kosovës ta shndërrojë në Ushtri, veprim ky që ka nervozuar shtetin fqinj – Serbinë, mjaftueshëm për të deklaruar se do të marrë veprime ushtarake, por sipas AP-së, këto janë thjesht kërcënime boshe.
Të premten 120 deputetët e Parlamentit të Kosovës pritet ta votojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri, ndërkaq në anën tjetër Beogradi zyrtar, siç raporton AP, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Derisa Beogradi vazhdon të insistojë se qëllimi i formimit të Ushtrisë së Kosovës është intervenimi në pjesën veriore të banuar kryesisht me shumicë serbe, Prishtina zyrtare kategorikisht mohon një gjë të tillë.
Ndërkaq së fundmi kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se shpreson se “nuk do të kenë nevojë të përdorin ushtrinë, por një opsion i tillë është në tavolinë”.
Në artikullin e AP-së, thuhet se situata së fundmi është tensionuar kur autoritet kosovare i vënë taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj Serbisë që kishte lobuar që ajo të mos anëtarësohet në Interpol.
Por sa është e gatshme Serbia të ndërmarr veprime ushtarake në rast të formimit të Ushtrisë së Kosovës, sipas AP ekzistojnë shumë pak gjasa për një gjë të tillë. Pasi kjo do të nënkuptonte konfrontim të drejtpërdrejt me 4,600 paqeruajtës të NATO-së që shërbejnë në Kosovë, përfshirë këtu trupat amerikane të stacionuara në Kosovë që nga viti 1999. Ky veprim do të shkaktonte sanksione të menjëhershme dhe izolim për Serbinë nga Perëndimi, përcjell Telegrafi.
Siç raporton AP, Ushtria e Kosovës pritet të ketë buxhet vjetor prej 98 milionë euro dhe 5 mijë ushtarë të rregullt dhe 3 mijë rezervistë. Në anën tjetër thuhet se Rusia fuqishëm përkrah Serbinë dhe është aleati i vetëm në Evropë. Kremlini vazhdimisht ka insistuar se formimi i Ushtrisë së Kosovës jo vetëm që do të kishte pasoja për popullatën serbe, por edhe për gjithë Ballkanin.
Megjithatë sipas AP-së, Rusia zor se do t’i bashkohej Serbisë në çfarëdo veprimi ushtarak kundër NATO-së në Kosovë. Kjo për faktin se ushtria ruse nuk ka qasje në Serbi dhe Kosovë, pasi këto vende janë të rrethuara nga vendet që janë anëtare të NATO-së.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 ushtarë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës, dhe çdo sulm i Serbisë do të nxiste hakmarrje të ashpër.