Vetëm një ditë para ndryshimit të mandatit të FSK-së në ushtri të Kosovës nga Kuvendi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, inspektoi ushtarët e FSK-së dhe mbajti një fjalim para tyre.
Por, e veçanta e këtij inspektimi, ishte veshja ushtarake e presidentit të Kosovës.
Ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta e Kosovës, Thaçi kishte veshur uniformën ushtarake, duke u paraqitur si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Para rreth 400 ushtarëve të FSK-së, Thaçi tha se ushtarët këto ditë po i përjetojnë më ndryshe dhe me emocione të fuqishme. Kjo, sipas tij, është e kuptueshme, sepse kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri tek momenti dhe vendimi i shumëpritur.
“Ky proces po rrjedh natyrshëm si rezultat punës dhe përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm. Ju, me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë sonë. Ushtria e jonë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend, rajon dhe botë”, tha Thaçi./KosovaPress