Në ditën e 12 të protestës së tyre, studentët e universiteteve publike në vend, kanë vendosur që të çojnë kauzën e tyre deri në fund. Ata kanë nisur të mblidhen rreth orës 10:00 para Kryeministrisë.
Studentët shprehen të bindur se do vazhdojnë protestat e tyre deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.
Kur edhe nuk ka nisur protesta, studentët që janë mbledhur para Kryeministrisë ia kanë filluar nga puna për pastrimin e Bulevardit. Mësohet se studentët janë parë me kova me ujë, teksa fshijnë dhe lajnë Bulevardin, atje ku po qëndrojnë prej disa ditësh.
Studentët kanë paralajmëruar protestë masive të hënën me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. Ndërkohë ditën e djeshme studentët e fakultetit Ekonomik kërkuan dorëheqjen e dekanit Dhori Kule me pretendimin se nuk i ka pritur në takim për të diskutuar problematikat.
Sakaq, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur studentëve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.