Para më shumë se katër vjetëve, me nënshkrimin e Kiril Bozhinovskit, atëherë sekretar i përgjithshëm të Qeverisë, ekzekutivi ka obliguar Qendrën e Kulturës në Tetovë të modifikojë projektin për ndërtimin e objektit të ri multi-funksional. Në seancën e 184-të, më 29 janar të vitit 2014, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja i ka obliguar autoritetet në këtë institucion të bëjnë ndryshim në dokumentacionin e tenderit për Teatrin dhe bibliotekën në Tetovë, brenda fondeve të miratuara prej 13 milion e 495 mijë euro.
Institucioni Kombëtar Qendra e Kulturës- Tetovë është i obliguar të shpallë tenderin me një ri-kualifikim ku në fillim do të kërkojë benefit ekonomik të kompanive që do të hyjnë në fazën e dytë, në pajtim me dinamikën e Ministrisë së Financave”- thuhet në konkluzionin e Qeverisë me datë 29.1.2014
Megjithatë, sipas dokumenteve deri te të cilat erdhi televizioni Alsat, Qendra e Kulturës në Tetovë, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për të qëndruar fortë në 13 milion dhe 495 mijë eurot e miratuara, ka lidhur një kontratë për ndërtim bazuar në projektin bazë, i projektuar në 41 milionë euro. Ata zgjodhën modelin “çelës në dorë”, që nënkupton projektimin dhe ndërtimin e objektit në tërësi, një mënyrë për të lidhur një marrëveshje, që sipas përvojës në prokurimin publik është shumë e rrallë. Alsat tashmë ka njoftuar se ky rast është duke u hetuar nga Policia Financiare. Paditë penale tashmë janë ngritur në Prokurorinë Publike për mënyrën në të cilën është kryer procesi i prokurimit publik ose përzgjedhja e një kompanie për ndërtimin e objektit. Në të duhet të ketë një teatër, bibliotekë dhe një kinema.
Alsat pyeti në Prokurorinë Publike pse paditë penale nuk janë proceduar? Nga Prokuroria u përgjigjën me pyetje se ku i kanë dorëzuar paditë. Ndërsa në terren në Tetovë, objekti i ri multi-funksional ende është duke u ndërtuar dhe është në karabina. Dyer dhe dritare nuk janë instaluar. Sipas ushtruesit të detyrës drejtor i institucionit, Artan Arslani, punimet e ndërtimit të ndërtesës do të zgjasin edhe gjysmë viti për të përfunduar fazën e parë. Faza e dytë parashikon rregullim të brendshëm që do të kushtojë 26 milion euro. Paratë do të paguhen në tre vitet e ardhshme. Ndërtimi i objektit modern në Tetovë u njoftua tetë vjet më parë. Gur-themeli u vendos katër vjet më parë dhe në ceremoni morën pjesë të gjithë ministrat e atëhershëm të BDI-së.