Ballina Aktualitet Lajme Rusia dëshiron të rrënojë Marrëveshjen për emrin, ja kush e thotë!

Rusia dëshiron të rrënojë Marrëveshjen për emrin, ja kush e thotë!

Shpërndaje
Shtetet e Bashkuar të Amerikës do të mbështesin deri në fund zbatimin e plotë të Marrëveshjes së emrit me Greqisë, pavarësisht pengesave që mund të paraqiten, në radhë të parë nga Rusia e cila duket qartë se punon për rrënimin e kësaj marrëveshjeje, ka deklaruar në Shkup, Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit John Sullivan.

Pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, diplomati amerikan tha se askush nuk duhet të befasohet nga aktivitetet ruse që kanë para vetes interesat e tyre, por jo edhe ato të qytetarëve të Maqedonisë, integrimin e vendit në NATO e BE.

“Jam krenar që në emër të SHBA-së jam këtu në mbështetje të vendimit politik të liderëve dhe qytetarëve të këtij vendi. Ne, nuk jemi këtu që të ndezim situatën, por këtu jemi thjesht për t’i dhënë mbështetje këtij vendimi që mundëson inkuadrimin e vendit në NATO dhe BE. Nuk është fshehtësi dhe të gjithë ne kemi të qartë se Rusia kundërshton Marrëveshjen e Prespës dhe askush nga ne nuk duhet të ketë dilema për këtë pasi Rusia do të bëjë gjithçka të mundur që për interesa të saj dhe kundër interesave të qytetarëve të Maqedonisë, të rrënojë procesin e zbatimin të Marrëveshjes së Prespës”.

“Pra, nuk befasohemi nga ndikimi rus e cila është e dukshme edhe në vende tjera të botës, sikur edhe ndikimin a përzierjen e saj në zgjedhjet në SHBA në vitin 2016. Por, ne jemi këtu që të mbështesim të gjitha qeveritë në zbulimin e të gjitha aktiviteteve që ndërmerren nga Rusia për të rrënuar vendimet demokratik dhe legjitime që ndërmerren nga qeveritë”, ka deklaruar Sullivan, duke dhënë vlerësime të larta për rolin e Maqedonisë për paqen dhe bashkëpunimin në rajon.

Ai me këtë rast ka inkurajuar deputetët që të vazhdojnë t’i japin mbështetje Marrëveshjes me Greqinë edhe në fazën e radhës dhe të fundit në Kuvend, si mundësi e vetme për të ardhmen e vendit.

“Ne e konsiderojmë Maqedoninë si lider në rajon për shkak të angazhimeve për paqe dhe bashkëpunim. Me këtë rast, i shpreh mirënjohje kryeministrit Zaev, ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov, si dhe deputetëve të guximshëm të cilët në muajin tetor ndërmorën hapin e guximshëm në Kuvend që të sigurojnë të ardhme të ndritur për Maqedoninë. Ne besojmë se Maqedonia e Veriut do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit, sigurinë dhe prosperitetin…Vota e juaj e ka vendosur Maqedoninë në rrugën drejt një të ardhme të sigurt. Inkurajojmë më shumë deputet që t’i lënë anash interesat partiake dhe të përqendrohen te strategjia e përbashkët. Alternativë tjetër nuk ka”, ka deklaruar diplomati amerikan.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Marrëveshjes për emrin, që mundëson zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar me Greqinë, si mundësi e vetme për të ardhmen e vendit dhe integrimin euroatlantik.