Pas Gjermanisë që ka paralajmëruar një hapje të dyerve për emigrantët që kanë interes të punësohen (1.6 milion vende pune), një tjetër vend po bën një hap të ngjashëm, edhe pse në përmasë më të ulët në aspektin numerik.
Japonia është një vend me ekonomi të bazuar fort te manifaktura por që po përballet me plakjen e pandalshme të popullatës dhe me një borxh publik rekord.
Tashmë i duhet të përballet edhe me mangësi të krahut të punës. Përballë këtyre nevojave, qeveria ka vendosur të përballet me problemin e rënies ekonomike dhe demografike.
Qeveria e drejtuar nga Shinzo Abe ka përgatitur para disa ditësh një paketë masash që favorizojnë hyrjen dhe punësimin në Japoni nga vendet e Azisë Juglindore.
Kjo masë në fakt duket se shkon kundër rrymës “sovraniste” të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Oferta për 11 vendet
Paketa e masave (janë 126 gjithsej) synon një objektiv të qartë: Garantimin e emigracionit për të paktën 340 mijë punonjës në harkun e 5 viteve dhe integrimin e tyre në shoqëri, raporton SCAN.
Ky vendim u bë i domosdoshëm nga mungesa e krahut të punës në disa sektorë si ndërtim, shëndetësi por edhe në teknologji.
Për këtë plan janë vënë në dispozicion 6 miliardë yen (50 milion euro) që do të shpenzohen për integrimin e të mbërriturve të rinj në rreth 100 komunitete, për procedurat, kurset e gjuhëve, ndihmën mjekësore e shkollore për fëmijët e emigrantëve etj.
Oferta u drejtohet 11 vendeve të zonës dhe parashikohen flukse të forta që mund të mbërrijnë nga Filipinet, Vietnami e Mianmari.