Për herë të parë në 7 vjet konflikt, ushtria siriane ka hyrë në bastionin e milicive kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Gjithçka ndodh pas njoftimit të presidentit Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane, për të cilën mjaftoi një telefonatë.
Telefonata e presidentit Trump me homologun Erdogan, ku njoftonte tërheqjen e trupave amerikane nga Siria e la të shtangur Turqinë dhe i hapi rrugë ndryshimit të rrjedhës së luftës. Në telefonatën e tij, Trump pritej t’i jepte një paralajmërim standard Erdogan në lidhje me planin e tij për të sulmuar milicitë kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në verilindje të Sirisë. Por nuk ndodhi kështu.
Gjatë bisedës, Trump riformatoi politikën amerikane në Lindjen e Mesme, duke braktisur çerekun e territorit sirian dhe duke ia kaluar Ankarasë detyrën për të hequr qafe Shtetin Islamik. Sipas një zyrtari turk që ka folur në kushte anonimati, gjatë bisedës Trump pyeti Erdogan nëse ushtria turke mund të përballej me ISIS nëse trupat amerikane tërhiqeshin dhe kreu i shtetit turk tha po. Atëherë bëjeni ju vijoi Trump bisedën dhe gjatë lidhjes telefonike iu drejtua këshilltarit të tij Xhon Bolton duke i thënë: “Përgatisni tërheqjen”.
Por largimi i rreth 2 mijë trupave amerikane nuk i ka lënë dorë të lirë veprimi vetëm Turqisë. Të premten, ushtria siriane hyri për herë të parë në 7 vjet në qytetin verior të Manbixhit, i konsideruar bastion i milicive të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Sipas BBC, fraksionet kurde u tërhoqën dhe i konfirmuan ushtrisë së presidentit Bashar al Asad gatishmërinë për t’i dorëzuar qytetin.
Duke reaguar disa orë më vonë, ushtria siriane deklaroi se ka ngritur flamurin në Manbixh, por autoritetet e pushtetit lokal bënë me dije se trupat zyrtare janë vendosur në rrethinat e qytetit dhe nuk kanë depërtuar ende brenda tij. Cilado qoftë situata, shqetësues mbetet fakti se mjaftoi një telefonatë e Trump për t’i dhënë një rrjedhë tjetër politikave amerikane në Lindjen e Mesme, pasojat e të cilës do të ndihen padyshim edhe në Europë./abcnews.al