Ndonëse ka mbushur të 70-at Ibrahim Qerimi ende nuk i ka harruar mësimet që i ka ndjekur dikur në fushën e hotelerisë.
Qerimi në vitin 1974, apo në kohën e ish-Jugosllavisë, kishte fituar vendin e parë si shërbyesi më i mirë dhe më i shpejtë, ndonëse kishte pjesëmarrës nga Serbia, Vojvodina e Mali i Zi. Gazeta ‘Rilindja’ kishte shkruar në atë kohë për suksesin e tij.
“Në Pejë kemi qenë tre kameriera nga Ferizaj. Kemi qenë rreth 60 apo 70 kameriera nga Serbia, Vojvodina e Mali i Zi, ne nga Kosova. Më ka rënë së paku tetë herë në kualifikime për garën e vendit të parë. Më në fund deshi fati që unë zura vendin e parë si kamerieri më i mirë në garën hoteliere në vitin 1974. Atë sukses e dokumentoj me fotografi nga Gazeta ‘Rilindja’”, shprehet për RTV Dukagjinin Ibrahim Qerimi.
Edhe pse kishte triumfuar në këtë garë, për inat serbët nuk ia kishin dhënë çmimin e artë. Edhe pse serbët e Ferizajt e kishin përkrahur atë.
“Mua nuk më kanë dhënë çmimin sepse iu ka ardhur inati serbëve, më kanë dhënë diçka simbolike, por Çmimin e Artë nuk ma kanë dhënë”, tha ai.
Gati gjysmë dekade ka ushtruar profesionin e kamerierit, e përgjatë kësaj periudhe Qerimi kishte pasur rastin t’i shërbente ushqim edhe udhëheqësit të ish-Jugosllavisë, Titos, dy herë. Gjithashtu edhe shumë figura tjera politike të kohës, duke përfshirë edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Kam pasur rast si kamerier të shërbej edhe Titon në vitin 1974 në Hotel ‘Jugosllavia’. Kuptohet ai ishte me delegacionin e vet nga Kosova, Mahmut Bakalli, Fadil Hoxha etj. Pas lufte edhe kryetarit Ibrahim Rugova i kam shërbyer së paku dy herë. Pastaj edhe të gjithë tjerët, Thaçin e mos të flasim më për Ferizaj”, theksoi Qerimi.
Ibrahim Qerimi tregon edhe mënyrën se si janë zhvilluar garat në atë kohë dhe rregullat që është dashur t’u përmbahesh.
“Ka pasur rast që kamerieri kur e ka parë nga dritarja inspektorin ka ikur me vrap, sepse ka pasur frikë mos i ka thonjtë e pa prerë. Çdo gjashtë muaj është dashur të nxjerrim librezë sanitare”, tregon kamerieri i karrierës.
E në kohën sa ishte duke punuar në komunë si shërbyes, gati 200 punonjësve u kishte mësuar pijen e zakonshme. Në këtë mënyrë, mjaftonte që ata të ngrinin dorën dhe pija tu shërbehej pa e marrë porosinë.
“Kemi shërbyer kafe, çaj etj., por jo pije alkoolike. Kemi qenë rreth 120 punëtorë e më pas ka shkuar deri në 180 punëtorë. Mund të them se gjatë viteve që kam punuar aty për 90% të atyre punëtorëve e kam ditur se çfarë pinë”, tregon kamerieri ferizajas, që bëri famë në Jugosllavinë e vitit 1974.
Qerimi e kujton me nostalgji kohën e kaluar të mbushur me suksese në fushën e hotelerisë, ndërkaq tregon se ndonjëherë kishte marrë pjesë edhe në gara të shahut.