Ballina Diaspora Cili është numri i bankierëve shqiptarë në bankat zvicerane?

Cili është numri i bankierëve shqiptarë në bankat zvicerane?

“Ne nuk flasim për para”, kjo është përgjigja që do të merrni në rast se do t`i pyesni zviceranët për pasurinë e tyre. Ata mund të heshtin, por këtë nuk e bëjnë bankat e tyre, statistikat e të cilave tregojnë se zviceranët janë të pasur. Madje dukshëm më të pasur se në çdo vend tjetër të rruzullit tokësor, e duke lënë mbrapa me një dallim të madh edhe vende që njihen si shumë të zhvilluara e me një standard të lartë jetësor.

Një mbledhje e Shoqatës shqiptare të punonjësve bankarë dhe financiarë të Zvicrës 

Për të kuptuar pse zviceranët janë të „mbuluar” në pasuri e jetë luksoze, ne do të sjellim një pasqyrë të sistemit bankar të këtij vendi të njohur si hambari i parave të botës. Prezenca e bankierëve shqiptarë në „hambarin“ e parave të bankave zvicerane, ka filluar të ndjehet. Ata po zënë poste të rëndësishme në bankat zvicerane dhe disa syresh ne i kemi portretizuar për këtë numër special të revistës albinfo.ch.

Sipas informatave që ka siguruar albinfo.ch, vetëm në bankën Credit Suisse janë një numër i konsiderueshëm me tituj të lartë në hierarkinë bankare që mblidhen një herë në vit në një darkë festive të fundvitit. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 100 bankierë shqiptarë të bankës Credit Suisse që janë takuar në një hotel afër aeroportit të Cyrihut. Albinfo.ch ka mësuar nga burime të afërta të bankierëve shqiptarë se takimi i bankierëve shqiptarë të bankës së dytë më të madhe zvicerane, Credit Suisse, do të mbahet prapë në muajin dhjetor.

Një statistikë të saktë të numrit të bankierëve shqiptarë në Zvicër është për shumë arsye vështirë ta kemi. Mirëpo ajo që thuhet nga vetë bankierët shqiptarë, numri i tyre është rritur dukshëm viteve të fundit dhe ata janë pjesë e bankave më të mëdha të vendit. Megjithatë, nëse mund tu referohemi bankierëve shqiptarë dhe shoqatës „Swiss Albanien Finance Asociation”, numri i punonjësve shqiptarëve në sektorin financiar duhet të jetë katërshifror.

Asnjë vend në botë nuk menaxhon më shumë para të huaja se sa Zvicra

Sipas një studimi të realizuar nga Boston Consulting, vitin e kaluar (2017) Zvicra ka menaxhuar hiç më pak se 2300 miliardë dollarë para me prejardhje nga vende të huaja. Për të pasur një ide se për çfarë shume bëhet fjalë, Boston Consulting sqaron se kemi të bëjmë me afërsisht një të tretën e të gjitha pasurive në nivel global. Pjesa më e madhe e parave të jashtme që i menaxhon Zvicra është me prejardhje nga Gjermania, Franca dhe Arabia Saudite, respektivisht nga shtetasit e këtyre vendeve. Në vendin e dytë dhe të tretë për menaxhimin e parave të jashtme, pas Zvicrës vijnë Hongkongu dhe Singapori. Por sasia që “kalon nëpër duart” e bankierëve të këtyre dy shteteve nuk është as gjysma e asaj që administrohet nga kolegët e tyre zviceranë. Zvicra ka 253 banka, dy bankat më të mëdha janë Credit Suisse dhe UBS. Ky vend alpin ka 24 banka kantonale, 62 banka regjionale, 7 banka private, Reifeisen dhe shumë institute financiare në vend dhe jashtë vendit drejtojnë 3100 filiale.

Shteti zviceran garanton sistemin banker

Pothuajse të gjitha bankat zvicerane ofrojnë garancion të plotë shtetëror. Vetëm Banka Kantonale e Bernës dhe Waadtländer nuk posedojnë garancion shtetëror. Kurse Banka Kantonale e Gjenevës posedon një garancion të kufizuar. Garancioni shtetëror është një veçanti e bankave kantonale të Zvicrës. Në rast të një falimentimi të një banke kantonale zvicerane, kantoni do të marrë përsipër dhe do të mbulojë tërë kapitalin e një klienti të bankës falimentuese. Sistemi bankar zviceran përbëhet nga Banka Nacionale, Bankat Shtetërore Kantonale, Bankat e Mëdha, Hipotekat regjionale si dhe Bankat private. Ato janë punëdhënëse të rëndësishme në dhe jashtë vendit. Cyrihu, Gjeneva, Baseli dhe Lugano njihen si qendra të rëndësishme botërore financuese të një tregu me kapital dhe asete investuese. Arsyet për këtë janë kushtet e mira legjislative të biznesit në Zvicër. Po ashtu edhe sekreti bankar dhe tatimi i ulët, por edhe neutraliteti i Zvicrës.

Bankat zvicerane i paguajnë shtetit tatim aq sa ka Kosova buxhet

Në vitin 2017, 229 nga totali i 253 bankave në Zvicër shënuan fitim. Ecuria e përgjithshme e biznesit në vitin 2017 arriti në 62.5 miliardë franga. Fitimet arritën në 10.3 miliardë franga. Në përgjithësi, fitimi vjetor total për të gjitha bankat u rrit me 1.9 miliardë franga (+ 24.0%) krahasuar me një vit më parë dhe tani është 9.8 miliardë franga. Bankat kanë paguar tatime që arrijnë 2.2 miliardë franga. 

Në fund të vitit 2017, bankat në Zvicër i administruan mjetet totale prej 7.291.8 miliardë franga, që është një rekord i ri i lartë që nga kriza financiare. Pjesa relative e aseteve të klientëve të huaj mbeti pothuajse e pandryshuar në 48.3 për qind. Zvicra vazhdon të jetë lider në tregun botëror në bankat private ndërkufitare: më shumë se një e katërta (pjesa e tregut 27.5%) e aseteve të botës nën menaxhimin ndërkufitar menaxhohet në Zvicër.

Pagat e bankierëve mbysin ëndrrën për drejtësi 

Rreth asaj se kush sa fiton në Zvicër është vështirë të nxirret një statistikë, sepse në Zvicër ekziston thënia: Për para nuk flasim. Një bankier fiton mesatarisht 10 mijë franga pagë mujore. Shefi i UBS-it fiton 2 milionë franga në muaj dhe mesatarisht 300 herë më shumë se një mësuese e arsimit fillor.

Me 100 mijë punëtorë, bankat janë punëdhënësit më të rëndësishëm të Zvicrës. Krahas dy bankave të mëdha UBS dhe Credit Suisse, që punësojnë më shumë se një të tretën e punëtorëve, janë edhe bankat kantonale me 17 mijë të punësuar në mesin e punëdhënësve të mëdhënj në grupin e bankave të Zvicrës. Bankat e huaja dhe banka Reiffeisen me 15% përkatësisht 9% luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm si punëdhënës. Sistemi bankar i Zvicrës përbën mbi 10 qind të të ardhurave bruto të vendit.

Fillet e bankave dhe sekretit bankar të Zvicrës 

Wegelin & Co. ishte banka më e vjetër ekzistuese e Zvicrës deri në shpërbërjen e saj në vitin 2012. Kompania me qendër në St. Gallen ishte themeluar në vitin 1741. Ajo kishte rreth 700 punonjës në vitin 2011 dhe menaxhonte mbi 24 miliardë pasuri të zviceranëve. Teksti i parë i shkruar mbi fshehtësinë e bankave daton ne vitin 1713 nga bankierët e Gjenevës. Deri në vitin 1934 fshehtësia e bankave mbulohej me direktiva të ndryshme në kodin civil zviceran dhe atë të punës. 

Ligji Federal mbi bankat u miratua në vitin 1934, ku shkruhej se shkelja e sekretit bankar konsiderohej krim. Për shkak të presionit të madh ndërkombëtar, sidomos atij amerikan dhe gjerman, sekreti bankar zviceran nuk ekziston më jashtë vendit. Megjithatë në Zvicër sekreti bankar vazhdon të zbatohet. Zyrat e taksave nuk marrin asnjë informacion këtu, edhe nëse hapin procedura penale për evazion fiskal.


Keystone

Njerëzit më të pasur të botës jetojnë në Zvicër

Sipas një raporti të “World Wealth Report” që përcjell “Credit Suisse”, pasuria mesatare e një të rrituri zviceran llogaritet 577.707 franga. Më këto shifra zviceranët janë bindshëm të parët duke lënë pas australianët dhe amerikanët që posedojnë jo më shumë se 411 mijë dollarë. Mbi 60% e të rriturve zviceranë kanë pasuri me vlerë më shumë se 100,000 dollarë. Në terma të individëve të pasur, 11% e banorëve zviceranë janë milionerë, 2.650 kualifikohen si persona me vlerë të lartë neto (mbi 50 milionë dollarë) dhe 980 kanë një vlerë neto më të madhe se 100 milionë dollarë. Në Zvicër, sot ka 725.000 njerëz me pasuri prej një milion e më shumë.