Për një kohë të gjatë, baza e vetme ushtarake e huaj në Ballkan ishte baza e Marinës sovjetike në ishullin e Sazanit të Shqipërisë. Por gati gjysmë shekulli pas saj, NATO do të ndërtojë një bazë ajrore në Kuçovë, e cila do t’i sigurojë Aleancës Veri-Atlantike një vend të rëndësishëm strategjie, vetëm një orë larg nga Siria. Ajo do të ofrojë karburante, logjistikë dhe mbështetje ushtarake, si dhe trajnime për Aleancën transatlantike, por vjen si pjesë e një strategjie të madhe perëndimore për “faktorizimin” e Shqipërisë së Kosovës.
Baza ruse, blerja e armatimit rus, deri te paralajmërimi i dërgimit të ushtrisë ruse në Serbi kanë bërë që NATO të marrë vendimin për ngritjen e bazës ajrore në Shqipëri dhe Kosova të krijonte një ushtri të rregullt. Edhe pse asnjë nga shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan nuk e arriti dy përqindshin e shpenzimeve ushtarake, Serbia shpenzon për ushtrinë më shumë se të gjitha shtetet e Ballkanit së bashku dhe 7 herë më shumë se Shqipëria.
Duket se NATO-ja vendosi të krijojë bazën e saj të parë ajrore në Ballkan si pasojë e asaj që konsiderohet si një qëndrim i ri ushtarak agresiv nga Rusia, që kulmoi me aneksimin e Krimesë në mars 2014. Në prill 2018, ministrja shqiptare e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, finalizuan marrëveshjen e bazës ajrore gjatë bisedimeve në Uashington. Reagimi i Kremlinit ishte i shpejtë; Kryeministri rus Dmitri Medvedev e quajti vendimin një “provokim”, duke paralajmëruar se Moska nuk do “të qëndronte duarkryq”, kurse agjencitë ruse të lajmeve e konsideruan ndërtimin e bazës së një “cënim të integritetit të Shqipërisë nga NATO-ja”
Ishte vetë Rusia, ajo që në shtatorin e kaluar, mbajti stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë (“Vostok 2018”), me 297,000 ushtarë, përfshirë edhe ata nga Serbia. Javën e ardhshme gjatë vizitës së Presidentit Putin në Beograd, pritet nënshkrimi i 20 marrëveshjeve bilaterale Ruso- Serbe, disa prej të cilave përfshijnë bashkëpunimin ushtarak midis dy shteteve.
Trendi i rritje së shpenzimeve ushtarake u vërejt në të gjithë botën dhe po reflektohet edhe në Ballkan.
Në vitin 2018, shpenzimet globale ushtarake u rritën në nivelin më të lartë që nga fundi i luftës së ftohtë duke shkuar në 1.7 trilion dollarë. Në samitin e fundit të NATO-s, Presidenti i Donald Trump këmbënguli se aleanca ushtarake duhet të dyfishonte objektivin e saj të shpenzimeve ushtarake (nga dy në katër për qind të GDP-së). BE do të shpenzojë më shumë se 5 miliardë euro në vit për financimin e kërkimeve për mbrojtje dhe blerjen e armëve përmes fondit të saj të ri europian të mbrojtjes.
Këto zhvillime ngritën shqetësime për një rimilitarizim edhe në rajon, qoftë nëpërmjet luftës hibride, apo vendosjes së bazave të reja ushtarake. Një çerek shekulli pasi vendet e Ballkanit, filluan zvogëlimin e aftësitë e tyre ushtarake, shumë prej tyre filluan të ndryshojnë kursin. Ky trend u nxit sidomos nga vala mediatike e urrejtjes etnike dhe partive politike që shtyjnë përpara agjendat nacionaliste.
Ky terren do tu ofrojë justifikim qeverive në rajon për të forcuar ushtritë e tyre dhe për të dobësuar institucionet demokratike. Përveç lojtarëve lokalë, tashmë në rajon, filluan të përfshihen edhe fuqitë ushtarake globale. Serbia dhe Republika Srpska, filluan të blejë armët ruse si dhe pranuan vendosjen e bazave të saj.
NATO-ja përballë Rusisë, shqiptarët përballë serbëve
Aktualisht, shumica e aspirantëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor, nuk përmbushin qëllimin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2 për qind të GDP-së. Maqedonia, arriti atë objektiv në vitin 2007, (me 2.15 për qind të GDP-së së saj në mbrojtje), mirëpo këtë vit, ra në 1 për qind të GDP-së. Kjo edhe si rezultat i reduktimit të planifikuar të personelin ushtarak nga 8,200 në 6,800 trupa.
Serbia, mbetet shteti me buxhet më të madh ushtarak në rajon: në vitin 2017, ajo shpenzoi 731 milionë dollarë (sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit). Shqipëria shpenzoi 162 milionë dollarë, Maqedonia 112 milionë dollarë dhe Mali i Zi 74 milionë dollarë. Buxheti i Kosovës për ushtrinë e saj vitin e ardhshëm do të jetë 98 milionë euro.
Serbia, me rreth 30 mijë trupa, mbetet fuqia më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, kurse Shqipëria e dyta. Kosova do t’i transformojë “Forcat e Sigurisë” të saj në një ushtri të rregullt këtë vit. Bosnjë e Hercegovina dëshiron të bëhet një anëtar i NATO-s, por Republika Srpska premton të bllokojë çdo iniciativë me veton e saj në nivel federal. Tri javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergei Lavrov vizitoi Republikën Srpska për të mbështetur zgjedhjen e Mirald Dodikut në Presidencën Federale.
Ka të ngjarë që lufta hibride dhe gara ushtarake do ta ndajnë rajonin në dy zona: atë nën ombrellën ruse (Serbi dhe Republika Srpska) dhe vendet me orientim euroatlantik (Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi).
Harta ushtarake e Ballkanit duket e thjeshtë: Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk janë anëtare të NATO-s, por kufizohen me fqinjët që janë apo aspirojnë anëtarësimin në aleancën veri-atlantike. Rusia është e pranishme në rajon, nëpërmjet “Qendrës Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, e cila ende nuk e ka fituar statusin diplomatik, pavarësisht shtytjes së fortë nga Moska.
Kremlini paralajmëroi se planifikon të krijojë një qendër rajonale për vendosjen e helikopterëve ushtarake dhe ka paralajmëruar edhe dërgimin e trupave të saj në Serbi.
Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bazën e saj që nga viti 1999 dhe së shpejti aleanca do të fillojë ndërtimin e një baze ajrore në Kuçovë. Ky rimilitarizim do të krijojë tensione serioze në rajon, në kohën kur po hapet “kutia e pandorës” për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Ky propozim ka ndarë aktorët kryesorë në katër blloqe: Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar (Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrja britanike Theresa May kundërshtojnë kategorikisht këtë ide); Komisioni Evropian, (shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini dhe Komisionari i Zgjerimit të BE-së Johannes Hahn janë pro kësaj teze); Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër situatën, por nuk kanë marrë asnjë vendim dhe Rusia, (sipas zëdhënëses Maria Zaharova) që do të “pranojë çdo marrëveshje që është e mirë për Serbinë”.
Çështjet ushtarake dhe kufitare janë shumë të ndërlidhura në Ballkan, pasi politikanët në rajon shpesh bëjnë thirrje për dërgimin e ushtarëve për të mbrojtur kufijtë. Pothuajse të gjithë liderët mbështetës të këtij propozimi kanë një të kaluar ushtarake: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ishte udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte ministër i Informacionit në kohën e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq, gjatë luftërave Ballkanike të viteve ‘90-ta. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në muajin shtator, presidenti Vuçiç foli me vlerësimeve të mëdha për Sllobodan Millosheviqin. Për aq kohë sa ithtarët e Millosheviçit, si Vuçiç apo dhe Daçiç të jenë në pushtet në Beograd, çmilitarizim i Ballkanit do të jetë i pamundur.
Tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve
Paqja ballkanike do të varet nga mënyra se si dy kombet më të mëdha etnike në rajon, shqiptarët dhe serbët (secili me 7-8 milionë banorë), do të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre. Për më tepër se një shekull, Ballkani është në pritje të një paqeje të qëndrueshme, përfundimtare mes këtyre dy kombeve.
Bisedimet sekrete midis udhëheqësve nuk kanë gjasa të arrijnë këtë qëllim. Lufta e Parë Botërore, e cila filloi në Ballkan, shpërtheu, pikërisht si rezultat i aleancave sekrete. Çështja kryesore që ngrenë ekspertët nëse ndryshimi i kufijve do të çojë në paqe apo në luftë? Ministrja kroate e Punëve të Jashtme Marija Pejcinovic Buriç ka shfaqur hapur dyshimin se precedenti i tillë do të vendoste një shkëmbim territorial edhe në pjesë tjera të rajonit si në Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Vetëm një pajtim i vërtetë midis shqiptarëve dhe serbëve me njohjen reciproke të shteteve mund të ndalojë rimilitarizimin e rajonit. Kjo duket e pamundur në një ardhme të afërt duke marrë parasysh qëndrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili deklaron vazhdimisht se Serbia “nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur”.
Pas lobimit të fuqishëm serb për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, qeveria në Prishtinë vendosi taksën prej 100 për qind ndaj importeve për mallrat nga Serbia, kurse Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për bashkim doganor. Beogradi paralajmëroi se Shqipëria dhe Kosova po lëviznin drejt bashkimit. Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se ushtria e vendit të tij ishte “e përgatitur” për të pushtuar Kosovën për të mbrojtur serbët që jetojnë atje.
Stërvitje ushtarake në Serbi
Në dhjetor, Kuvendi i Kosovës votoi krijimin e ushtrisë së rregullt prej 5,000 trupash, kurse Kryeministrja serbe Ana Brnabiq kërcënoi se vendi i saj mund të ndërhyjë ushtarakisht, ndërkohë që presidenti Vuçiç inspektoi trupat serbe në kufirin Serbi-Kosovë. Qeveria e Prishtinë, si përgjigje tha se ushtria e saj do të përdoret për të kontribuar në misionet ndërkombëtare (si ato në Afganistan dhe Irak) dhe jo kundër serbëve në territorin e Kosovës ose kundër vetë Serbisë. SHBA, ndërkohë dërguan një kontingjent armësh për Forcën e Sigurisë të Kosovës.
Fokusi strategjik
Ballkani, mbase do të jetë një pikë jo pak e rëndësishme në strategjinë e sigurisë së SHBA-së. Për të kundërshtuar Rusinë, NATO, u përqendrua në samitin e fundit tek ofrimi i sigurisë nga deti Baltik deri në Ballkan. Përveç bazës së re ajrore të NATO-s në Shqipëri, SHBA ka paralajmëruar po ashtu se mund të ketë një bazë të përhershme në Kosovë si dhe të vendosë 3,000 trupat e saj aktuale në Poloni në mënyrë të përhershme, siç kërkohet edhe nga Varshava zyrtare.
Të gjitha këto lëvizje vijnë si pjesë e “Iniciativës së tri deteve” (“Three Seas Initiative”) për të krijuar një zonë stabiliteti nga Detit Baltik, Detit të Zi dhe Detit Adriatik. Pas vendosjen e saj në shtetet baltike dhe bazën e saj të re në Shqipëri, porti i Konstancës në Detin e Zi të Rumanisë do të jetë thelbësor për NATO-n. Po aq e rëndësishme është edhe Shqipëria, e vendosur në detin Adriatik dhe Jon, duke ofruar kështu një qasje të drejtpërdrejtë në Mesdhe. Ndërkohë, Bondsteel në Kosovë është baza më e madhe e SHBA-së në Evropë.
Është e mundur që rimilitarizimi i rajonit të jetë pjesë e një skenari më të gjerë të përplasjes strategjike rreth Detit Mesdhe. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet ndikimi i madh Rusisë me bazat e saj ushtarake në Siri; sidomos pas vendimit të fundit të presidentit amerikan Tump për të tërhequr trupat amerikane atje. Ndikimi i saj dhe prania e pritur në rritje në rajon do të stabilizojë Europën Juglindore në vitet e ardhshme, pasi Moska mund të nxisë konflikt atje, duke dërguar më shumë refugjatë në Europë dhe duke destabilizuar qeveritë evropiane. Me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kosovën aleat, NATO-ja do të ketë mbyllur krahun e saj në Lindjen e Mesme.
Burimi: Geopolitical Intelligence Service
Marrë nga: GazetaSi
v.l/ Dita