Dimri është një stinë shumë e bukur për të bërë disa ditë pushim. Ju mund të zgjidhni destinacionet malore, ku ka prezencë të borës. Bardhësia e saj të fal qetësi dhe paqe me vetveten. Mendimet që ju kanë pushtuar kokën rreth problemeve të përditshme zhduken dhe duket sikur mendja juaj ripërtërihet. Kështu që mos e mendoni gjatë, por nisuni drejt destinacioneve turistike. Në Shqipëri, nuk ka shumë vende për të kaluar një fundjavë, përveç Dardhës, Thethit, apo Valbonës në Tropojë. Por duhet të keni parasysh se rrugët në më të shumtën e rasteve janë të bllokuara për shkak të neglizhencës shtetërore. Akulli dhe prezenca e borës në rrugë, ju vë jetën në rrezik. Unë do të ju sugjeroja pa as më të voglin dyshim, Brezovicën. Rruga është e mirë dhe borëpastrueset janë gjatë gjithë kohës në gatishmëri. Në pjesën me të madhe të stinës së dimrit, Brezovica ndodhet nën pushtetin e borës.
Nisja
Qëllimi për të shkuar në Brezovicë ishte që të bëja një set fotografik, e veshur si nuse së bashku me bashkëshortin. Dukej një ide e çmendur, por gjithsesi mbetet një aventurë shumë e bukur. Mu desh që të nisesha nga Tirana, rreth orës 7:00 të mëngjesit dhe kishim parashikuar që në mbrëmje të riktheheshim. Pas 90 minutave udhëtim, ndaluam në autostradë për të konsumuar mëngjesin dhe kafen. Nuk qëndruam shumë sepse kishim rrugë për të bërë. Në total ishim 5 persona dhe çdo gjë po shkonte mirë. Biseda ishte e këndshme dhe ende nuk e dinim se çfarë na priste. Diku nga ora 13: 00 mbërritëm në Prizren dhe atë ditë reshjet e borës nuk pushonin. Ndaluam në një parukiere për të bërë make-up. Pasi përfunduam, u nisëm drejt Brezovicës. Na thanë që nuk ishte shumë larg dhe se rrugë do të na zgjaste vetëm 50 minuta.
Surprizat e pakëndshme në rrugë
Për të gjetur rrugën drejt Brezovicës na u desh që të pyesnim disa kalimtarë të rastit. Dalim nga qyteti dhe optimizmi vazhdonte të na shoqëronte. Ishim të lumtur që bora binte vazhdimisht sepse kishim kohë që nuk e shihnim një gjë të tillë. Mendonim për fotografitë që do të bënim dhe prisnim që do të dilnin të bukura. Por kjo ndjenjë nuk zgjati shumë. Duke iu afruar Prevallës, edhe ky destinaion turistik, nisëm që të kishim probleme me rrugën. Ecnim me 20 km në orë sepse rruga kishte borë dhe akull. Shikonim që makinat rrëshqisnin dhe kjo na e shtonte edhe më tepër frikën, pavarësisht se automjeti ynë ishte me të katërtat rrotat aktive. Kur mbërritëm në qendër të Prevallës, u ndeshëm me një pamje të frikshme. Shumë automjete ishin bllokuar dhe dalë nga rruga. Policia kishte ndërhyrë për të normalizuar situatën, por kjo nga shkaktoi vonesa. Aty i thashë fotografit që ishte njëkohësisht edhe drejtuesi i mjetit që të ndërprisnim udhëtimin dhe fotot t’i bënim në Prevallë sepse edhe aty ishte shumë bukur, por ai nuk dëgjoi. Donte që të mbërrinim në destinacionin e vendosur më herët. Blemë zinxhirë, por tregtarët na mashtruan, sepse nuk na dhanë numrin e saktë. Është mirë që të bëni pazar sepse çmimi fillestar ishte 60 euro dhe pas disa negociatave na i dhanë 20 euro, duke na siguruar që zinxhirët ishin të postashme për automjetin tonë. Vazhduam rrugën drejt Brezovicës dhe në orën 15: 00 të pasdites mbërritëm. Donim që udhëtimin ta çonim me tej, tek pista e skive, por çdo gjë ishte e bllokuar sepse trashësia e dëborës kishte mbërritur në gjysmë metri.
Realizmi i fotove
Na kishte mbetur shumë pak kohë në dispozicion. U futëm në një lokal për të pirë një çaj dhe të vishja fustanin e nuses. Pa humbur kohë nisëm që të bënim shkrepjet e para sepse drita e diellit po na ikte. Nata nisi që të bjerë dhe ne vazhdonim që të realizonim setin. Fotot në errësirë dhe nën efektin e blicit dolën shumë të bukura dhe ne as që e kishim imagjinuar këtë rezultat. Kishim si qëllim rikthimin, por reshjet e dëborës e bënë situatën në rrugë të rënduar. Ishte e rrezikshme që të udhëtoje në ato kushte. Pyetëm për të gjetur hotel dhe çmimet ishin nga më të ndryshmet, nga 70 -20 euro nata. Është mirë që të mos nxitoheni kur të zini dhomën sepse edhe këtu mund të negocioni çmimin. Ushqimi është shumë i përballueshëm dhe i bollshëm. Dhomat janë shumë të ngrohta. Frika nga shoqëroi gjatë gjithë ditës, por pavarësisht kësaj ishte pamja e natyrës ishte si në përralla. Bora kishte zbardhur çdo gjë. Qetësia ishte ajo që mbizotëronte kudo.
Habia e njerëzve teksa me shikonin të veshur nuse
Të nesërmen vazhduam setin dhe reshjet e borës nuk kishin ndaluar për asnjë moment. U vesha sërish nuse dhe dolëm jashtë. Përballja me temperaturat e ulta nuk ishte e lehtë, por nuk u dorëzova. Syri të kapte grupe njerëzish të lumtur që qeshnin me njëri-tjetrin. Ishin veshur trashë dhe teksa më shikonin mua të veshur nuse, habiteshin se si e përballoja të ftohtin. Kërkonin që të bënin foto me mua dhe nuk i ndaloja. Deri nga mesi i ditës qëndruam në Brezovicë. Më pas nisëm rikthimin. Ndalonim herë pas herë që të bënim shkrepje me aparat. Çdo vend na dukej i bukur, syri nuk ngopje së pari një mrekulli të tillë. Ishte shumë ftohtë, por nuk u dorëzuam për asnjë moment. Përveç fotografive bëmë edhe një klip.
Rikthimi
Rikthimi nuk ishte shumë i vështirë, ndonëse duhet të tregofshim të kujdesshëm. Borëpastrueset në Kosovë e mbanin rrugën të zhbllokuar. Nga ora 18:00, shkuam në Kalimash. Bora vazhdonte të binte me intensitet dhe rruga ishte shumë e rrezikshme. Kishte akull në rrugë dhe na u desh që të ulnim shpejtësinë. Kur mbërritëm në Laç, rruga ishte pastër sepse nuk binte dëborë. Në Tiranë u rikthyem rreth orës 20:00.