Mallra në vlerë të 2 milionë eurove me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina, pritet të dalin në tregun vendor.
Kjo do të ndodhë pasi Qeveria e Kosovës, gjatë së martës, mori vendim për moszbatimin e masës 100 përqind për produktet që kanë hyrë në vend para datës 21 nëntor, kur edhe është vendosur masa e parë, raporton KTV. Por që për të njëjtat nuk kishin kryer procedurat doganore.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka treguar se malli do t’i nënshtrohet vetëm tatimit mbi vlerën e shtuar. Vendimin e kanë mirëpritur përfaqësuesit e bizneseve në vend. Kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka treguar se mallrat e bizneseve kishin mbetur të bllokuara, pasi qeveria nuk kishte dhënë afat për doganim dhe tërheqjen e tyre nga depot. Zeka ka kërkuar që bizneset që kanë paguar masën gjatë kësaj periudhe dhe kanë nxjerrë produktet nga depot, t’u kompensohen paratë. Mirëpo, në doganë kanë treguar se asnjë biznes nuk e kishte tërhequr mallin nga stoqet. 80 përqind e stoqeve janë me mallra ushqimore. Derisa, që nga vendosja e masës së parë, dogana kishte pezulluar pranimin e mallrave në depo nga këto dy vende, në përjashtim të brendeve ndërkombëtare.
Ky vendim kishte nxitur debat në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë, me disa ministra që kishin kërkuar që të ketë një raport të detajuar nga Ministria e Financave.