Për gjuhën shqipe disa herë u tha se u zyrtarizua në Maqedoni, por sa është zyrtare tani kur në Gazetën Zyrtare u publikua Ligji për gjuhët. Në debatin e emisionit Click Plus disa prej analistëve thonë se nuk u zyrtarizua gjuha shqipe, por gjuha e 20 përqindëshit.
“Ky ligj e bën zyrtare në disa pjesë d.m.th. ku është 20 përqindëshi, por nuk mund të jetë zyrtare në gjithë nivelet e Maqedonisë. Unë këtu flas edhe si Kryetar i Forumit për të drejtat e njeriut, që këtu ka shkelje, pasi në shumë qytete të Maqedonisë ku shqiptarët nuk janë 20% nuk kanë të drejtë ta flasin gjuhën shqipe. Kjo gjuhë nuk është zyrtare, por ka përdorim zyrtar vetëm në atë pjesë ku shqiptarët janë mbi 20% shqiptare. Po aty ku janë nën 20%? Si Manastiri, Prilepi, Ohri , Tito Velesi, pjesë të Shkupit, këtu ka shkelje”, tha Adil Mustafa Analist.
“Derisa statusi i shqiptarëve nuk është i zgjidhur nuk është plotësuar kërkesa e shqiptarëve që të jemi të barabartë gjithsesi se edhe gjuha me automatizëm nuk ka gjasa që të jetë e barabartë. Nga kjo nënkuptojmë edhe atë se gjuha shqipe u quajt gjuha e 20 përqindëshit. Do të thotë nuk është gjuha e shqiptarëve, është gjuhë e 20 përqindëshit, që eventualisht nesër gjuhë zyrtare mund të del një gjuhë tjetër. Nga kjo del se nuk është e barabartë si gjuhë zyrtare”, u shpreh Vebi Bexheti – Gjuhëtar.
Edhe profesoresha universitare AJtene Qamili thotë se shqipja në shumë vende nuk ka hapësirë.
“Do të doja ta shtojë edhe çështjen e gjyqësorit, se edhe aty në shumë vende nuk ka hapësirë gjuha shqipe, nëse vihet në zbatim vet ligji që është, apo edhe për punën e aspektit të shpenzimeve për shumicën e dokumenteve që mbesin barrë e qytetarëve, të cilët detyrohen nëse duan ato dokumente t’i kenë edhe në gjuhën shqipe, të kenë shpenzime shtesë dhe jo shpenzime të shtetit sikurse siç janë për maqedonishten”, tha Ajtene Qamili Gjuhëtare.
“Statusi etnik i një populli reflekton edhe statusin minoritar të gjuhës, kulturës e tjerë, ose e kundërta. Këtu ka edhe një dallim që duhet ta bëjmë kur themi ne shtetformues. Shtetformues në atë kuptimin më të qartë që mund ta bëjmë ne. Të drejtat e barabarta kushtetuese po i pate, në gjuhë je në segmentin më të fortë të shtetit”, u shpreh Nijazi Muhamedi – Analist.
Analistët gjithashtu nuk përjashtuan mundësinë që në të ardhmen përdorimi i gjuhës shqipe të avancohet edhe më shumë.