Autor: Ridvan Ismaili
E drejta për shkollim në gjuhën amtare, edhe pse e garantuar me Kushtetutë, nuk rrespektohet sa duhet në vendin tonë. Kjo dukuri është e shfaqur sidomos kur bëhet fjalë për nxënësit shqiptarë dhe nxënësit e bashkësive më të vogla etnike.
Ditëve të fundit, ndoqëm kronikë lidhur me procesin arsimor në gjuhën (jo)amtare të nxënësve shqiptarë, pikërisht në vendbanime të komunës së Çashkës. Kjo komunë bjen në zonën e tretë zgjedhore, prej ku deri më tani partitë shqiptare asnjëherë nuk kanë nxjerr asnjë deputet, dhe kjo me siguri duhej të jetë shkaku i mosinteresimit të tyre.
Nuk kishte me qenë ndoshta edhe “aq e dhimbshme” sikur të bëhej fjalë vetëm për ata 6 apo 7 margaritarë që i njohëm nëpërmjet një kronike televizive. Sepse kemi raste të izoluara të nxënësve që janë produkt i martesave të përziera. Por, këtu kemi të bëjmë me një numër më të madh të nxënësve, që me padrejtë janë peng i politikave ditore dhe të njejtit po e shijojnë idhtësinë e asimilimit.
Nëse shikojmë numrat dhe shifrat të kësaj dukurie, atëherë mund të konstatojmë se kemi të bëjmë me një numër katërshifrorë të tyre.
Këtyre nxënësve, në njërën apo tjetrën formë, iu është mohuar e drejta e shkollimit në gjuhën amtare, pra në gjuhën e nënës.
Sipas të dhënave të fundit që posedojmë nga viti shkollor 2016/17, gjendja e nxënësve nëpër shkolla fillore sipas përkatësisë etnike dhe gjuhës nē të cilën mësojnë ata, është si në vijim:
Në gjuhën maqedone mësojnë gjithsej 123.250 filloristë prej të cilëve, sipas përkatësisë etnike, kemi:
105.745 nxënës maqedon;
1021 nxënës shqiptarë (nga gjithsej 60.578 nxënës shqiptarë që kemi);
2736 nxënës turq (nga gjithsej 8813 nxënës turq që kemi);
312 nxënës vlleh – të gjithë 312 mësojnë në gjuhën maqedone;
9113 romë (nga gjithsej 9328 nxënës romë që kemi);
1137 serb (nga gjithsej 1258 nxënës serb që kemi);
1614 boshnjak (nga gjithsej 1908 nxënës boshnjak që kemi);
2507 të tjerë (nga gjithsej 2805).
Ndërsa, kur jemi te nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe, nuk kemi as edhe një nxënës të vetëm nga bashkësia etnike maqedone që ndjek mësimin në gjuhën shqipe.
Dmth, bashkësia shqiptare në Maqedoni si dhe bashkësitë më të vogla etnike janë më të prekura në këtë drejtim.
Kjo e drejtë e cunguar në një formë humbë edhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të çdo bashkësie etnike, duke llogaritur këtu angazhimin e personelit arsimor dhe tekniko-administrativ.
Nëse llogarisim gjendjen te bashkësia etnike rome e cila numëron 9113 nxënës që mësojnë në gjuhën maqedone, dhe të njejtin numër e shndrrojmë në klasa, atëherë del të kemi mesatarisht 455 klasa me nxënës romë. Ndërsa sa i përket angazhimit të stafit arsimor dhe personelit tekniko-administrativ, të njejtit kanë të humbur afro 1000 vende pune. Edhe shqiptarët në këtë drejtin kanë të humbur me qindra punësime.
Askush nuk na ka faj se pse të tjerët për filloristët e tyre angazhojnë mësues, qoftë edhe për një nxënës të vetëm në klasë, qoftë edhe në zonat më të izoluara të vendit. E aq me pak na kanë faj kur, për 15 vite me rradhë, digasterin e Ministrisë së arsimit e udhëheqin, pikërisht kuadro nga bashkësia etnike shqiptare.