Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten tërheqjen nga një traktat dhjetra vjeçar i kohës së Luftës së Ftohtë, që ndalonte prodhimin e armëve bërthamore, duke shkaktuar shqetësim tek disa analistë se ky veprim mund të shkaktojë një garë të re armatimesh.
Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo tha se duke nisur nga 2 shkurti, Uashingtoni nuk do t’i përmbahet më kushteve të Traktatit të Forcave Bërthamore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar me Rusinë. SHBA akuzon Rusinë për shkelje të traktatit, i cili ndalon prodhimin e disa llojeve të raketave. Rusia e mohon pretendimin.
Traktati ishte marrëveshja e parë e kontrollit të armëve në botë për të ndaluar prodhimin e një kategorie të tërë armësh, posaçërisht të raketave që lëshohen nga toka me një rreze veprimi deri në 5,500 kilometra.
Zoti Pompeo u tha gazetarëve të premten në Departamentin e Shtetit se SHBA do t’i japë njoftimin zyrtar Rusisë se po tërhiqet nga traktati për një periudhë gjashtë mujore, nëse Rusia nuk rikthehet tek kushtet e paktit.
Tërheqja e SHBA-së do të kërkojë disa muaj, për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura me Moskën. “Është detyra jonë të reagojmë në mënyrë të përshtatshme”, u tha zoti Pompeo gazetarëve. /VOA