Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dhënë një arsyetim banal lidhur me të varfrin i cili u detyrua që ta shes viçin për ta varrosur nënën e tij që vdiq para tri dite.
Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu është arsyetuar se gazetari i cili e ka realizuar storjen me Sabri Beqirin i cili jeton me asistencë sociale është tezaku i tij. “Ata të Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri, kanë me dhënë një komunikatë edhe ata do ta sqarojnë këtë, rasti ka ndodh tek ata edhe ata e sqarojë këtë, mirëpo një po du me ju tregu se Besart Gagica me qatë djalin janë tezak, tezak e ka”, ka thënë Sadriu për Insajderin. Bashkësia Islame në Vushtrri e detyroi Sabri Beqirin i cili jeton me asistencë sociale të paguajë për anëtarësi shumën prej 417 eurove, në mënyrë që nënën e tij ta varros sipas ritit islam.
“Unë thash nuk po di çka me bo, thash ajo duhet me u varros, për me u kry këto procedura. Më tha a ke pagu anëtarësi naj herë, i thash jo kurrë se nuk kam pas mundësi, më tha nuk janë pare shumë. I thash i dijë ato krejt, po jeni kundra fesë, tha jo valla nuk bon”, kishte thënë Beqiri.
Ai ka treguar se viçin dy muajsh e ka shitur në shumë prej 392 euro.
“Edhe u dasht me shit viçin, ditë e xhuma u kanë ditë tregu,e bagëtive, shkumë e shitëm vicin, dy muj i ka pas, me kill e kena shit, pare aty bojshin 392 euro, qato pare i kisha veç”, ka treguar Beqiri.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe gazetari Galica. “Tash BIK-u po më thonë që unë e paskam tezak Sabri Beqirin! Këta përnjëmend nuk qenkan në tokë të bukës”, ka shkruar ai në Facebook.